Genta Ismaili

(Sa mirë të kesh përballë një personazh të gatshëm për të folur rreth skandaleve apo thashethemeve që ziejnë në “kazanin” e madh të shtypit gossip. Diku t`i pranojë, diku t`i përgënjeshtrojë… VIP-at shqiptarë janë hermetikë në këtë drejtim, por Genta ka pranuar që nga njëra anë të zbulojë për ne disa të vërteta, e nga ana tjetër të hedh poshtë shpifjet apo keqkuptimet)

Në shtyp është shkruar se disa prej këngëve të tua më të fundit, kanë qenë të vjedhura.

Kanë pasur njëfarë të drejte, më është faktuar se këngët janë të huazuara. Kjo nuk do të thotë se kam imituar dikë apo s`kam qenë origjinale. Më është dhënë kënga me të cilën një fëmijë është prezantuar në festival (qesh), pastaj mora vesh se “Bombarderin”, të cilin e realizova për xhirimet e Vitit të Ri tani në dhjetor, e ka kënduar një tjetër që në 2005-ën. Kujt i mbetet faji në fund? Gentës. Më besoni, nuk e kam ditur se ishin këngë të huazuara, përndryshe do ta kisha blerë të drejtën e autorit.

Si je ndjerë kur ke lexuar rreth këtyre gjërave në shtyp?

Jo mirë, pasi faji më ka mbetur mua. I bie që çfarë i kam premtuar në intervista publikut, nuk përputhet me realitetin dhe kjo më bën të ndihem keq.

Një tjetër thashethem është ai i verës së kaluar, kur thanë se “vrave dorën në një lojë të fortësh”.

Jo tamam. Po shkoja në dhomën e grimit, sapo kisha përfunduar koncertin, dhe e hapa derën duke e qëlluar me grusht (qesh); ishte një pjesë xhami që u thye dhe u preva (vendos dorën e djathtë mbi tavolinë dhe më tregon në kurrizin e saj një çikatrike goxha të dallueshme. E pyes nëse e ka bezdi shenjën, nëse ka menduar të realizojë ndonjë ndërhyrje plastike për ta eleminuar)

Ah, jo! E kam kujtim (buzëqesh). Sa herë ta shoh do më sjell në mend momentet e bukura që kam kaluar gjatë koncerteve.

Nuk është se je kundër operacioneve plastike.

Në rastin konkret nuk kam ndonjë arsye të fortë për t`iu “falur” kirurgjisë. Nëse një ditë e shoh të nevojshme të ndryshojë diçka që s`më pëlqen te vetja, pse jo, por nuk jam për ta tepruar. Nuk do më pëlqente të isha 50 vjeç për shembull dhe të dukesha si 30.

Në shtyp është shkruar se ke bërë një këngë për të sulmuar Dafina Zeqirin. Ka ndonjë të vërtetë në këtë mes?

 Të ishte për t`i kushtuar këngë ndonjë kolegeje, do ta kisha bërë për dikë tjetër… (qesh)

Për kë?!

Adelina Ismaili është një artiste me të cilën ndihem në garë, por konkurenca nuk na pengon të jemi mikesha. Unë kam respekt për koleget në përgjithësi dhe garën me to e bëj vetëm në skenë, jo duke i sulmuar me tekste këngësh. Nuk di kush e ka nxjerrë këtë thashethem, por është totalisht pa bazë sepse unë me Dafinën kam marrëdhënie mëse normale.

Sot ka njerëz që ende mendojnë se ti dhe Adelina jeni kushërira, në një kohë që jeni thjesht kolege… dhe konkurente, mesa mora vesh.

Kjo s`është gjë fare! Në Shqipëri ka që më pyesin: “Si e ke motrën?”, për Adelinën (qesh).

 

Nga Genti Minga, 2010 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *