Alma Topalli

Si e gjeta forcen krijuese

Alma është një grua e suksesshme , po aq edhe e fortë dhe kurajoze në përditshmërinë e saj. Një grua e angazhuar, një mësuese gjimnazi, presidente e një shoqate për fëmijët autik dhe nëna heroinë e Mateos, sot 11 vjeç, i cili që prej moshës 3-vjeçare është kuptuar që është autik. Dhimbjen për dramën e vet personale dhe familjare Alma e ka kthyer në forcë për të ndihmuar Mateon dhe gjithë fëmijët autik të Vaut të Dejës për tu socializuar. Pikërisht për këtë arsye ka ngritur qendrën e fëmijëve “Bambi” dhe shoqatën “Rreze shprese” për t’iu dhënë integritetin e munguar fëmijëve me aftësi ndryshe.

  984017_1139328962857144_5996866981849223375_n

 

Alma vini si mysafire këtë herë në revistën “Albanian Woman “. Një pyetje e shkurtër si një parathënie për të gjithë lexuesit . Kush është Alma në përditshmërinë e saj ?

Alma në përditshmërinë e saj ?!Unë jam një nënë që përpiqem si shumë gra të tjera të japë maksimumin tim për fëmijet e mi e që guxoj e shtyhem pak përtej familjes për të dhënë edhe kontribut social pasi për mua ka rëndesi jetike.Jam mësuese në gjimnaz dhe kjo gjë më mbush me jetë sepse jam në kontakt të përditshem me moshën më të bukur (paçka se edhe më problematike. )I dua nxënesit e mi e ata përditë më pasurojnë me përvoja e më bëjnë njeri më të mirë . Pavarësisht se gjetja e kohës për veten time është luks, unë provoj që ta bëj një me argëtimin e Mateos (tim biri).Kështu përveç gatimit e muzikës ,lulet librat , bletët dhe shëtitjet në natyrë janë pasione që i ndajmë bashkë me Mateon.

Ju keni jetuar një periudhë të konsiderueshme kohe në Itali. Çfarë kujtoni nga ajo periudhë dhe përse vendoët të riktheheshin në Shqipëri, në vendin e orgjinës?

Edhe unë bëj pjesë tek kategoria e shqiptarëve të shumtë që kapërcyen detin në mënyrë klandestine për të kërkuar një jetë më të mirë përtej detit, edhe pse kjo presupozonte me u pa sy me sy me vdekjen, edhe pse unë isha 6 muajshe shtatzanë me femijën e parë. (Kalimi i detit ishte një histori që do një natë dimri dhe një ditë vere për tu treguar. Im atë pesoi infarkt kur mori vesh nga të tjerët sesi kisha kaluar unë detin. )Por prej asaj pervoje unë dua të kujtoj më të mirën. Atje në Itali filluam nga minus zero, por ama e kisha zemrën plot. Një jetë që rritej brenda meje. Atje unë u njoha me shumë gra të fisme që shpejt i bëra shoqe. E pastaj për mua bota u bë mrekulli sepse erdhi në jetë ime bijë Nivis që ishte model përsosmërie e që mund të garonte me ëngjejt në pikturat me temë biblike. Asgjë nuk më dukej e paarritshme asokohe.

Edhe pse peripecitë nuk na u ndanë. Sa filluam të sistemoheshim disi im shoq pësoi hernie diskale .Ai nuk ishte në gjendje as të ulej për të lidhur këpucët e as të merrte vajzën nga shtrati në krahë.Iu desh të linte punën.E kjo na e komplikoi situatën. Gjeta unë punë, por e kisha të pamundur të vijoja pasi vajza ishte shumë e vogël. Kështu u detyruam të ktheheshim pas gjithë asaj sakrifice që kishim bërë për të arritur atje.(Unë kisha mbaruae studimet e larta, njihja tre gjuhë të huaja që atëherë! Familja ime më mbështeste ). U ktheva në vendin tim e pas dy muajsh fillova punë si sekretare në “Caritas Diocesan”.

Të jesh nënë e një fëmije autik, ka qënë fatkeqësia dhe sfida më e madhe në jetën tuaj. Si ia ka dal Alma të bashkëjetojë me autizmin dhe të gjejë forcë për të ecur përpara?

Në momente kur të ndodhin drama në jetë, pas tronditjes së parë ti transformohesh. Dhe në optikën time them që janë dy opsione:ose fisnikërohesh e bëhesh më i mirë e më i fortë, ose bëhesh inatçor dhe ke dëshirë tua nxjerrësh inatin të tjerëve për padrejtësinë e jetës ndaj teje. Unë zgjodha opsionin e parë! Mora mbi vete pergjegjësitë e mija!Pashë rreth e rrotull e vura re me dhimbje që kishte shumë më keq se rasti im. Kjo më shtyu të kuptoja e të shihja më qartë. U zgjova e reagova! U mbajta mbas dy thënieve që u benë lajtmotivi im: “NËSE DO TË SHËROSH DHIMBJEN TENDE ANGAZHOHU ME NJË KAUZË QË SHKON PËRTEJ DHIMBJES TENDE & NESE DO TE NDRYSHOSH DIÇKA FILLO NGA VETJA!” Kështu filloi procesi i gjatë i transformomit që vazhdon akoma…!

 

18447334_1178696888920351_1296854510757471990_n

Autizmi ka një përhapje të madhe sot në Shqipëri dhe në botë. Çfarë mund të bejë shoqëria për fëmijët autik , për t’i ndihmuar?

Po flitet shumë. Biles edhe po abuzohet me autizmin dhe mundesitë dhe alternativat e trajtimit dhe shërimit. Unë personalisht besoj që ka një mënyrë, por unë akoma s’e kam gjetur. Po flitet fort për terapinë e sjelljes ABA, për disa lloj terapish biomedicale që në fëmijë të ndryshëm bëjnë efekt të ndryshëm, por akoma asnjë pistë të saktë që të çon në destinacion të sigurtë (barra e gjithë kësaj bie në shpatullat e familjes dhe fëmijës). Dua që të qendroj plot shpresë! Por ndërkohë duhet vepruar në mënyrë të koordinuar e përgjegjësia e parë bie mbi shtetin. Duhet të mendojë seriozisht e urgjentisht për këtë fenomen që është në trend rritjeje të frikshme. S’ka më kohë për të humbur dhe familjet po sfiliten në të gjitha drejtimet. Me vjen në mendje një thënie e Anjshtajnit: “Nuk mund të flasim për progres të vërtetë në qoftëse edhe një fëmijë i vetëm është i palumtur.” Epo të llogarisim sa fëmijë me aftësi ndryshe janë të palumtur e të paasistuar, të vjen të vësh duart në kokë. Për ironi po shohim përditë që për kauza që nuk më duken fare kauza apo për veprimtari apo punë që nuk sjellin kurrëfarë dobie( biles prishin ekuilibrat e botës ) po shpenzohen shuma marramëndëse. Unë ftoj të gjithë ata që munden që të kontriubojnë për këtë kategori fëmijësh sepse në fund të ditës vetë ata do ndjehen më të pasur në shpirt.

Cila është motoja kryesore në jetën e Almës dhe prej ku buron energjia që e vë në lëvizje botën e saj?

Motoja ime siç e ceka pak më lart është :BËHU TI NDRYSHIMI QË DO TË SHOHESH NË BOTË!E besoj që çdo gjë që na ndodh në jetën tonë na forcon e na afteson për të vijuar përpara në rrugëtimin tonë në mënyrë që ne të kryejmë misionin që të gjithë duhet të kemi në këtë jetë :Ta bëjme botën një vend më të mirë për veten ,për fëmijët tanë, për të gjithë. Mendoj që të gjithë ne kemi në vetvete potenciale të paeksploruara brenda vetes! E rëndsishme është që të vetëdijesohemi e t’i përdorim më pas për të vendosur balancë në jetët tona sipas sfidave me të cilat na bie në pjesë të përballemi. Burimi i forcës sime është pikërisht vetedija për këto potenciale. Dhe kuptohet oazi ku unë prehem mbasi bie dhe më ndihmon të ringrihem është familja ime,fëmijët ,prindërit e mi,vëllezërit e mi!Edhe miqtë e mirë gjithashtu!

22467779_1314371555352883_1381461708212603428_o

Çfarë është “Rreze shprese” dhe çfarë është qendra e fëmijve “Bambi “. Si lindën, si i konceptuat? Çfarë janë sot? Cili do të jetë hapi i radhës i Almës për t’i rritur e zhvilluar këto dy shoqata në ndihmë të fëmijëve?

“Rreze shprese” dhe qendra “Bambi ” janë dy iniciativa që sollën dy produkte të ndryshme që çojnë ujë në të njëjtin destinacion: pranimin, trajtimin, integrimin e fëmijëve autike. Lindën si pasojë e handikapit institucional që ekzistonte ( për fat të keq vijon akoma të jetë pothuajse njësoj ) për t’i trajtuar, edukuar, e integruar këto femije! Ishte nevojë e dëshperuar e prindërit që nuk arrin të shohë një dritë jeshile pasi u shëmbej bota mbi kokë. Janë konceptuar si mundësi për të ofruar një fole të parë modeste ku do të mirëpriteshin pa paragjykim dhe me ngrohtesi nënat e fëmijëve me aftësi ndryshe dhe familjeve të tyre. Dhe njëkohësisht edhe fëmijët tipikë dhe nënat e tyre të edukohen të pranojnë atë që është ndryshe. E të lindë kështu një frymë e re e solidaritetit njerëzor në komunitet. Hapi i radhës është që të promovoj në nivel kombëtar dhe të kërkoj mbështetje edhe në nivel ndërkombëtar që këtyre fëmijëve tu ofrohet pikërisht ajo çka thashë më sipër! E kjo është një e drejtë jetike. Kjo do të jetë një arritje që do tu japë thjesht një të drejtë themelore të mohuar, femijëve me aftësi ndryshe dhe do vëj në balancë familjet e tyre mbi të cilat bie një barrë shumë e rëndë jo vetëm shpirtërore e psikologjike, por edhe fizike dhe ekonomike. Por do jetë edhe një investim afatgjatë dhe vizionar për shoqërinë e shtetin për nesër sepse këta fëmijë sot , nesër do jenë të rritur dhe situata do të jetë shumë më vështirë për tu menaxhuar e për pasojë do tu kushtojnë shumëfishë të gjithëve!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *