Historia

“Ishte një fëmijë i mbarë dhe shkëlqente në mësime, s’arrijmë ta imagjinojmë se si ai mundi të gjente kurajën për t’u vetëvrarë”- janë shprehur mësuesit e një djali 11 vjeçar, pak ditë pasi u vetëvra. “Ishte djalë i mirë” – thanë shokët që janë shokuar nga lajmi i papritur. Ka dalë mendueshëm prej oborrit të shkollës, është përshëndetur me nxënësit e tjerë dhe është nisur për në shtëpinë e tij, pa ditur se pasditja do të vinte shumë tragjike për të. Ka mjaftuar një zënkë me të ëmën, një shuplakë e marrë prej saj për ta çuar më pas në mendime negative dhe tejet të rrezikshme për një fëmijë në atë moshë. Ka shkuar në kasollen bri shtëpisë dhe me mendjen e tij prej fëmije ka mundur të krijojë gjithë skenarin vetëm brenda pak minutave, sepse s’ka shkuar shumë dhe ai është gjetur i vetëvrarë, i varur në telin që kishte përdorur për t’ia arritur qëllimit. Ky është versioni që është sjellë për ngjarjen e ndodhur në një lagje, vetëm pak minuta larg Tiranës.

A mjafton një shuplakë për ta çuar fëmijën në vetëvrasje?

Të gjendur përballë këtij fakti tronditës, në realitetin tonë, prej kohësh po bëhet “zhurmë” rreth këtij fenomeni. Shumë nëna, do të kenë kthyer sytë nga fëmijët e tyre, por edhe mund ta kenë menduar me dhembshuri nënën protagoniste të këtij rasti. I trajtuar në të gjitha format dhe i parë në të gjitha këndveshtrimet, kjo ngjarje ka qenë e prekshme jo vetëm nga media por edhe ne bisedat tona të ditës. E ndoshta, pak kush mund ta ketë parë në dritën asaj se çfarë mund të përjetojë një nënë nën efekte të tilla: a ka qenë vërtetë shuplaka e saj që e ka shtyrë të birin të vetëvritet, apo duhet gjurmuar më thellë për të gjetur arsyen? Sigurisht, nuk mund të pretendohet, që të ketë mjaftuar vetëm një zënke apo një shuplakë për ta nxitur të voglin në këtë sjellje të rrezikshme. E megjithatë, për nënën do vijojë të mbetet një peng i dhimbshëm humbja e të birit, i cili në një gjendje të tillë nuk ka mundur ta përballojë ndëshkimin nga ëma.

Mbas ngjarjeve të tilla, të përcjella bujshëm nga media, shumë prindër mund të jenë përballur me pyetjet e fëmijëve të tyre: “Pse ka vrarë veten ky djali…?”, një pyetje kjo e shoqëruar me mendime, habi, mister… Natyrisht që s’mund të jetë e lehtë për t’ia dhënë përgjigjen, ndërkohë që i vogli ka filluar të fantazojë, ta lodhë mendjen për të gjetur një arsye, për të spostuar ndjesitë e tij tek ngjarja dhe mënyra se si mund të përjetohet. “Fëmija ka vrarë veten sepse prindi i ka dhënë një shuplakë?”…Kjo është ana tjetër e medaljes, e cila gati kërcënon kufijtë prind-fëmijë, duke i bërë ato edhe më të brishtë nga ç’janë.

Çdo ditë i përcjellim fëmijët tanë për në shkollë, dhe dita jonë vazhdon e ngarkuar në anën tjetër…pa praninë e tyre. Të zhytur në punët tona të shumta, në përpjekjet e pafund për një jetë më të mirë, sidomos për të ardhmen e tyre, mund të na ndodhë shpesh të harrojmë të ndalemi, dhe të pushojmë paksa në “oborrin” e së tashmes, për t’i pyetur ata si janë, si ndihen? Jeta ecën me kaq nxitim aq sa duket sikur nganjëherë nuk na lë kohë të mjaftueshme të ndalemi dhe të shohim nga afër fëmijët tanë. Ndoshta mësuesja e ka ndëshkuar për një palë detyra të munguara? Një shok e ka “tradhtuar” duke i nxjerrë një “sekret” tek të tjerët? Ndoshta ndihet i përjashtuar nga grupi, dhe nga bota që ai ka ndërtuar në realitetin e tij? Mund të vijë i mërzitur, të thotë se nuk ndihet mirë, dhe prindi as të mos e këtë mendjen tek “tekat” e tij. Do të donte të thoshte diçka por i rrituri i mbyll gojën duke i thënë “pusho, nuk di gjë ti, je ende i vogël”. A ia ka thënë njeri këtij fëmije se sa i rëndësishëm është ai në familje? A i është thënë këtij fëmije se kur ai ka ardhur në jetë ka gëzuar shumë njerëz?

Të gjithë mund të përballemi me situata nga më të ndryshmet, të krijuara në marrëdhënie me të vegjlit tanë. Nuk hezitojmë t’i kritikojmë, t’u japim mend, t’i ndëshkojmë, madje të ndërmarrim edhe sanksione të rënda kundrejt tyre, deri tek dhuna fizike. Dhe sërish justifikohemi se kjo është disiplinë prindërore, është për të mirën e tyre, duke harruar se edhe ata kanë shqetesimet e tyre, dhe problemet prej fëmije me të cilat u duhet të përshtaten çdo ditë. E veçanta është që fëmijët nuk mundet të përballojnë shqetësimet dhe stresin siç e përballojnë të rriturit për shkak te cilësive te moshës, prandaj kanë nevoje për përkujdesje dhe mbështetje të vazhdueshme.

Vetëvrasja për fëmijën është një sjellje me rrezik, dhe e lidhur me aventurën

Përpjekja për vetëvrasje e një para-adoleshentit ka shumë gjëra të përbashkëta me arratisjen. Është një arratisje në brendësi të vetvetes, jashtë caqeve të sjelljes së zakonshme. Ky përfytyrim për vetëvrasjen shpërthen nga një ndjenjë zbrazëtie. Ai nuk është i dëshirueshëm në çastin e vetëvrasjes. Kjo ndodh në mungesë të çfarëdo shprese, gëzimi dhe dashurie për veten. Atëherë kur përfytyron vetëvrasjen ai ndjen një lloj kënaqësie të fuqisë mbi vetveten. Është duke luajtur me veten e vet. Adoleshenti ka një shqetësim për vdekjen, por krejt ndryshe e përjeton një fëmijë 8-9 vjeçar. Fëmija ka marrëdhënie të ngushta me vdekjen, e gjen por nuk e kërkon. Adoleshenti e mbush gojën plot me mendimin e vdekjes, dhe të emocionit të të tjerëve që do qajnë për të. Për fëmijën është një sjellje me rrezik dhe e lidhur me aventurën. Tek adoleshenti jetohet si një zi e fëmijërisë së vet, e mënyrës së tij të qenies. Ata që shkojnë deri në fund janë të bindur se janë të tepërt në familje, ndihen fajtorë që kanë lindur. Këtë e zbulojnë vetëm në çastin e këtij përfytyrimi për vetëvrasje, ku maten me përmbushjen e tij. Kjo përmbushje do t’i jepte nënës kënaqësinë që kanë pasur dhe që në fillim nuk ishte e lumtur për lindjen e tyre. Ndaj, është e nevojshme marrëveshja e fshehtë e këtyre dy elementëve që të jetë e vërtetë përmbushja e veprimit vetëasgjesues. Të gjitha këto shenja do ishte më mirë të vëzhgohen më parë se të jetë tepër vonë. Prindërit duhet të jenë të vëmendshëm ndaj çdo veprimi që ata bëjnë. 

Studimi psikologjik

Vetëvrasjet impulsive influencohen më shumë nga zënkat e momentit  se sa nga gjendja depresionale

Edhe pse tentativat për vetëvrasje shpesh herë përfshijnë akte impulsive, shumë pak dihet rreth karakteristikave të këtij lloji vet-flijimi tek fëmijët. Në një studim të kohëve të fundit (Simon, T.R, 2005), u investiguan tentativat për vetëvrasje në një popullatë që varionte nga mosha 11 vjeç deri në 34 vjeç. Tentativat u konsideruan impulsive nëse pjesëmarrësi raportonte të kishte shpenzuar më pak se 5 minuta ndërmjet vendimit për të tentuar vetëvrasjen dhe tentativës aktuale. Nga 231 raste, 34% prej tyre kishin tentuar në mënyrë impulsive. Për më tepër, kjo ishte më së shumti e pranishme midis atyre që ishin përfshirë në një zënkë fizike përpara aktit dhe më pak tek ata që kishin qenë të depresionuar. Ajo që veçoi grupin e parë ishte pikërisht gjinia mashkullore, zënka dhe ndjesia e të qenit i pashpresë ose pa asnjë rrugëdalje. Rezultate të tilla demonstrojnë dukshëm se mungesa e aftësisë për të kontrolluar impulset agresive mund të jetë një faktor rriskues më i madh se sa gjendja depresionale.

* Gjithashtu, këto të dhëna ngrenë pyetje mbi efektshmërinë e strategjive parandaluese, të cilat shpesh herë varen nga identifikimi i individëve në rrezik për të kryer aktin e vetëvrasjes. Parandalimi i tentativave impulsive kërkon strategji dhe metoda të ndryshme.

A e kuptojnë fëmijët konceptin e vdekjes?

Një nga pikat kryesore në përkufizimin e vetëvrasjes është pikërisht nevoja e individit për të qenë koshient se ai po shkakton vdekjen e tij. Kjo nevojë për ndërgjegjësim dhe qëllimi për të vazhduar me veprimin që do të mbarojë në mënyrë permanente jetën e individit, ngre një sërë pyetjesh rreth fenomenit të vetëvrasjes. A munden fëmijët të kryejnë vetëvrasje? Në çfarë moshe ata fillojnë të kuptojnë se vdekja është e përhershme jo vetëm për të tjerët por edhe për veten e tyre? Nëse i mituri nuk ka arritur akoma ta kuptojë këtë aspekt të vdekjes a mundet ai të jetë i aftë për të kryer vetëvrasjen?

Sipas disa psikoanalistëve, fëmijët nën moshën 11 vjeçare e kanë të pamundur të kryejnë aktin e vetëvrasjes  pasi ata nuk e kanë ende të zhvilluar idenë se përhershmëria e vdekjes është e vlefshme si për të tjerët ashtu edhe për veten. Për më tepër, ata nuk munden kurrsesi të merren me kompleksitetin e planifikimit. Megjithatë, historia tregon se fëmijët jo vetëm që kanë tentuar por disa ia kanë dalë mbanë në vetëflijimin e tyre, dhe jo domosdoshmërisht akti ka qenë i planifikuar. Përkundrazi, në shumicën e rasteve ai ka qenë impulsiv. Këto ngjarje kanë influencuar psikologë të tjerë ta modifikojnë deri diku përkufizim e fenomenit të vetëvrasjes tek  fëmijët – si një sjellje vet-shkatërruese  me qëllimin  për të lënduar veten.

Fëmijët janë dhe ndoshta gjithmonë kanë qenë të magjepsur nga vdekja; në të njëjtën kohë ata përpiqen të kontrollojnë frikërat e tyre dhe ta kuptojnë këtë mister duke e përfshirë vdekjen në mendimet e përditshme, lojërat ose ritet e tyre. Gjatë moshës 7 deri në 8 vjeç, fëmija është duke u përballur me aspektin emocional që rrethon konceptin e vdekjes. Ata nuk mund t’i rezistojnë të pyeturit për të. Ndërsa, në moshën 9 deri 12 vjeç, ai ia ka dalë mbanë në krijimin e mekanizmave mbrojtës që ruajnë një ekuilibër të brendshëm midis njohurisë rreth dhe frikës nga vdekja.  Pra në këtë moshë, shumica e fëmijëve e kuptojnë konceptin e vdekjes dhe për më tepër atë të vetëvrasjes. Megjithatë, jo për të gjithë, të kuptuarit e nocionit të vetëvrasjes  është e lidhur me të kuptuarit e vdekjes. Studime të shumta kanë demonstruar se, fëmijët që kanë tentuar të vrasin veten besojnë se vdekja është e përkohshme dhe e këndshme, ndërsa ata që nuk kanë paraqitur një tendencë të tillë e perceptojnë vdekjen si të përhershme. Të dhëna të tilla, përforcojnë edhe një herë rëndësinë e bindjeve të fëmijës rreth vdekjes si një gjendje të përhershme, kundër sjelljeve vetëvrasëse.

Pra, çfarëdolloj informacioni i gabuar në lidhje me vdekjen, i transmetuar nga prindërit ose nga programet për fëmijë mund ta influencojë të miturin për të qenë më i pripur kundrejt akteve vetëvrasëse. Gjithashtu, zhvillimi i egos së fëmijës mund të luajë një rol shumë të rëndësishme. Ata që janë të stresuar mund të regresojnë në kuptimin e tyre për finalitetin e vdekjes deri në atë pikë sa ta shohin atë si të kthyeshme duke e vendosur veten  në rrezik për sjellje vdekjeprurëse.

Ja pse, teksa i shpjegojnë të vegjëlve të tyre vdekjen, prindërit duhet të jenë kreativ, konkret dhe ta inkuadrojnë informacionin në  nivelin e të kuptuarit të fëmijës. Shpjegimet më të mira janë të thjeshta, direkte dhe të bazuara mundësisht në eksperiencat personale të vetë të miturit. Pas shpjegimit,prindërit duhet ta pyesin fëmijën se çfarë kuptoi nga ajo që iu tha. Kjo i jep mundësinë që të korrigjojnë ndonjë shtrembërim të mundshëm të informacionit.

Pse një i mitur tenton të vetëvritet?

Fëmijët e qetë kanë më shumë propabilitet për të kryer aktin fatal

Sigurisht, që përgjigjia e kësaj pyetje nuk është e lehtë por studime të shumta nxjerrin në pah faktorë si problemet familjare dhe presionet nga ambienti rrethues, humbjen e një njeriu të dashur ose të një marrëdhënieje të rëndësishme, problemet me identitetin, mundësinë për përdorimin e drogës dhe alkoolit, konkurrencën e lartë akademike si dhe nevoja ose objektiva të paarritshme.

Por nga ana tjetër, është shumë e vështirë të parashikosh se cili fëmijë ka ndërmend të tentojë të vrasë veten, për vetë arsyen se ky fenomen mund të jetë i pranishëm në të gjithë tipat e të rinjve – madje ai që rri i izoluar, i përmbajtur dhe që nuk i shkakton probleme askujt ka më shumë probabilitet për të kryer aktin fatal se sa të tjerët. Këta fëmijë kanë nevojë për vëmendjen e munguar, të cilën nuk arrijnë ta kenë në shtëpi ose në shkollë duke qenë se vetë sjellja e tyre nuk e kërkon këtë gjë. Ata nuk spikasin mbi të tjerët dhe për këtë arsye nuk i kushtohet vëmendje. Ndërkohë që është relativisht e vështirë për të identifikuar karakteristikat e personalitetit te i mituri që do të kryejë vetëvrasje, ekzistojnë shumë të dhëna dhe shenja që mund të identifikohen nga ata që dëshirojnë dhe janë të vëmendshëm.

Si mund t’i parashikojmë tentativat vetëvrasëse të fëmijës sonë?

Shenjat ose karakteristikat që ndihmojnë për të identifikuar ose parandaluar tentativat e mundshme vetëvrasëse mund të grupohen në tri fusha të përgjithshme: verbale, sjellje/ndjenja dhe rrethanore

Karakteristika verbale

Të gjitha deklaratat që shfaqin një dëshirë për të vdekur duhen të merren seriozisht.

  1. 1.    Komunikim i drejtpërdrejtë:
    “Do të vras veten.”
    “Dëshiroj të vdes.”
    “Sa do doja të isha i vdekur “
  2. 2.    Komunikim indirekt:
    “Nuk ke pse të kujdesesh më për mua” “Askush s’do ta ndjente mungesën time” “Po i shkaktoj vetëm probleme familjes sime” “Jam një barrë për prindërit e mi” Vetëm probleme di të shkaktoj”

 

Karakteristika të sjelljes/të ndjenjave

Ndryshime në sjellje ose në veçoritë karakteriale si dhe prezenca e disa lloje ndjenjash mund të sugjerojë një personalitet vetëvrasës.

  1. Tërheqje nga jeta sociale: Fëmija fillon të rrijë vetëm dhe të izolohet nga të tjerët ose nga aktivitetet e përditshme. Socializmi me miqtë e tij dhe bashkëveprimi verbal me të tjerët pëson një ulje të dukshme. Shumicën e kohës, ai mund të duket i zhytur në mendimet e tij dhe i pavetëdijshëm për prezencën e të tjerëve.
  2. Depresion, të qara, apati, si dhe ndjenja të të qenit i pashpresë dhe i padobishëm.
  3. Ankth, konfuzion, tronditje, humor të ndryshueshëm ose shenja të tjera çrregullimi.
  4. Rënie në arritjet akademike.
  5. Rritje ose pamundësi për të fjetur.
  6. Shtim ose rënie në oreks.
  7. Preokupim me çështjet rreth vdekjes, fesë, të afërme të vdekur, parajsës, ferrit, etj.
  8. Përpjekje për t’i lënë gjërat në rregull. Kjo ndoshta përfshin të dhuruarit e gjërave personale, bërjen e favoreve kundrejt atyre që i ka keqtrajtuar në të kaluarën, mbajtja e një ditari, etj.
  9. Mungesë optimizmi ose shprese për të ardhmen.
  10. Moskujdesje për pamjen e jashtme.

Karakteristika të mjedisit

Disa situata ose kushte mjedisore janë të zakonshme midis fëmijëve që tentojnë për të vrarë veten

  1. Tentativa të mëparshme ose kërcënime.
  2. Probleme dhe kaos në familje. Shtëpi e çrregullt ose prishje të strukturës familjare (psh., vdekje, divorc, ndarje).
  3. Presione nga familja për të qenë i suksesshëm. Adoleshenti ndjen se duhet të jetë perfekt për të kënaqur prindërit e tij.
  4. Pakënaqësi me situatën në familje, rregullat apo kufizimet dhe një ndjesi se gjërat nuk kanë për të ndryshuar pasi sjelljet, reagimet, normat dhe veprimet e prindërve janë të gdhendura në mur.
  5. Bindja se familja nuk të kupton, respekton ose nuk të vlerëson. Ideja se fëmija është i palumtur, është e papranueshme nga prindërit.
  6. Zënka fizike me të tjerët dhe/ose me pjesëtarët e familjes.
  7. Rritje në tension, konkurrencë dhe kërkesa nga shkolla dhe/ose shokët.
  8. Humbje të një njeriu të dashur, të afërt ose një marrëdhënie të ngushtë.
  9. Probleme me identitetin. Kalimi nga fëmijëria në adoleshencë dhe nga adoleshenca në moshë madhore

10.Plane vetëvrasëse, që përfshijnë metoda vdekjeprurëse dhe të shpejta.

11.Vetëvrasja e një miku, të afërmi ose personi të adhuruar.

Ndërkohë që është e vështirë të identifikosh një “predispozitë vetëvrasëse”; sa më e madhe të jetë prezenca e shenjave të mësipërme aq më i lartë është rreziku. Qoftë një akt impulsiv ose i paramenduar, mungesa e optimizmit, ndjesia e të mos qenit i lumtur dhe mungesa e shpresës për të ardhmen janë zakonisht të pranishme.

 

Çfarë duhet bërë për ta parandaluar vetëvrasjen e një të riu?

 

Edhe pse fenomeni i vetëvrasjes ka filluar të trokasë dhunshëm në të realitetin tonë, sërish duhet të besojmë se ai mund të parandalohet. Kjo për vetë faktin se shpesh herë i riu lë shenja të shqetësimit të tij. Prindërit, mësuesit dhe miqtë janë në pozicionin kryesor për t’i evidentuar këto shenja dhe për ta ndihmuar të riun.

Për prindërit:

Nëse një adoleshent në mënyrë të vazhdueshme pohon dëshirën e tij për të vdekur, kjo padyshim është një situatë që kërkon vëmendjen tuaj. Gjëja e parë që duhet të bëni është të identifikoni situatën në të cilën kjo ndjenjë shprehet. A ndodh kjo kur fëmijës nuk i plotësohet dëshira? A ndodh kur e ndëshkoni ose të ndjerit në faj nga ana juaj luan në favorin e tij? Mos vallë po kërkon të ketë një reagim tuajin ose t’ju mërzisë? Apo ndodh në situata të paparashikueshme, siç mund të jetë duke parë TV, duke i dhënë makinës apo gjatë bisedave për shkollën dhe miqtë e tij?

Disa nga komentet mund të jenë manipulative, por kjo nuk do të thotë që ato nuk kërkojnë të njëjtën vëmendje: p.sh “Të urrej”, “Do të largohem nga shtëpia” ose “Je mamaja më e keq në botë”. Kjo vlen veçanërisht nëse fëmija ka një karakter manipulues. Lejojeni atë të shprehë ndjenjat e tij dhe diskutojini së bashku duke ruajtur qetësinë dhe gjakftohtësinë.

Sido që të shprehet dëshira për të vdekur, në mënyrë të drejtpërdrejtë apo manimpulative, hapi tjetër që duhet të merrni është të shihni për shenja ose karakteristika të rrezikshme (tabela e mësipërme i përfshin ato). Nëse identifikoni disa prej tyre tek fëmija juaj merrini seriozisht ato. Flisni me të dhe mos i ofroni shpjegime të thjeshta për probleme të vështira apo t’i thoni të gjitha arsyet se pse ai nuk duhet të ndihet në këtë mënyrë. Kjo gjë do të forconte ndjenjat e tij të fajit duke e bërë fëmijën tuaj të ndihet më shumë i pavlerë dhe i pashpresë. Përpiquni t’i kuptoni ndjenjat e tij dhe lejoni që të jetë ai gjenerues për zgjidhje të tjera të problemit. Nëse, pas gjithë këtyre, jeni akoma në dyshime përpiquni pa humbur kohë të kontaktoni me një profesionist të shëndetit mendor në mënyrë që të merrni asistencën e duhur në këto raste.

Për mësuesit e shkollave:

Fëmijët dhe adoleshentët kalojnë një pjesë të mirë të kohës së tyre në ambientet shkollore të mbikëqyrur nga personeli i shkollës. Si të tillë, problemet e tyre, veçanërisht ato të tipit akademik e shoqëror,  janë më evidente në këtë ambient se sa në atë të shtëpisë. Kjo përforcon edhe një herë idenë se shkolla luan një rol thelbësor në parandalimin e këtij fenomeni. Prandaj është e rëndësishme që i gjithë stafi të jetë i familjarizuar dhe vigjilent ndaj faktorëve rriskues dhe shenjave paralajmëruese të sjelljeve vdekjeprurëse. Të gjithë duhet të punojnë për të krijuar një ambient ku nxënësit të ndihen të sigurt për të ndarë mendimet e tyre, edhe ato më negative.

Në këtë pikëpamje, roli i psikologut në shkolla sa vjen e bëhet më domethënës. Ata duhet të bëjnë vizita në çdo klasë dhe të konsultohen me mësuesit jo vetëm për të mësuar rreth performancës akademike të fëmijës por për të observuar vetë ekspertizën e mësuesve dhe aftësitë sociale e kompetencat e fëmijëve. A ka fëmija shokë në shkollë? A e ka të lehtë ai të bëjë miqësi me të tjerët? Si i përballon ai konfliktet me shokët? Nuk është aspak çudi që mësuesit të përfaqësojnë një nga burimet më të rëndësishme të psikologut të fëmijës.

Vetëvrasja shpesh rrethohet nga një konspiracion i heshtjes. Sidoqoftë ajo mbetet një çështje e shëndetit publik. Edhe pse në vetvete parandalimi i vetëvrasjes është i diskutueshëm, personeli i shkollës mund të jetë i rëndësishëm pikërisht në mos marrjen pjesë në konspiracionin e heshtjes. Sa më shumë të dimë, aq më shumë të përgatitur mund të jemi për të ndihmuar nxënësit dhe studentët në rrezik.

@Mirela Sula, Erjona Shahini, 2006

 

 

 

 

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *