Ka shume çifte, që qëndrojnë në martesën e tyre edhe pse nuk ndihen të lumtur për arsye të ndryshme. Tre vjet më parë, një billboard “Jeta është e shkurtër. Divorcohuni” nga Grupi avokatëve të divorcit në Chicago, mori kritika të shumta nga të gjitha anët. Por kjo firmë legale nuk kërkoi falje për këtë duke argumentuar se thënia nuk është për të gjithë, por për disa çifte që po kërkojnë sesi të shpëtojnë nga situata e keqe martesore. Në fakt nuk ka asgjë të gabuar në kërkesën e njerëzve për të dale nga një martesë e palumtur kur nuk ka asnjë fije shprese për të shpëtuar marrëdhënien. Është mirë që martesat të zgjasin përgjithmonë por kur një marrëdhënie prishet përpjekjet e sforcuara nuk mund ta riparojnë atë.

Pikëpamja e njerëzve për divorcin sa vjen e po ndryshon në ditët e sotme. “Njëri nga miqtë e mi, i cili u divorcua kohët e fundit, bëri edhe një Festë me rastin e divorcit” – thotë E. 34 vjeç nga Tirana. “Personalisht, jam dëshmitar i faktit sesi disa nga miqtë e mi, të cilët janë divorcuar nga martesa e tyre e parë, e cila ishte një tmerr i vërtetë, kanë gjetur një të dytë vërtet të kënaqshme dhe të lumtur. U çudita gjithashtu që pashë kartolina urimi për divorcin, disa muaj më parë” – shton ai.

Më poshtë jepen dhjetë arsye pse njerëzit qëndrojnë të ngjitur në martesën e tyre të palumtur

1) Për fëmijët: Fëmijët janë vuajtësit më të mëdhenj kur vjen divorci. Shumë prindër, thjesht qëndrojnë në martesën e tyre të palumtur, për hir të dashurisë për fëmijët e tyre dhe sepse nuk duan që t’i shkaktojnë vuajtje atyre.

2) Paratë dhe përfitimi: Shumë femra, tentojnë të qëndrojnë në martesën e tyre për arsye të komfortit dhe përfitimit që ata marrin në shtëpinë e bashkëshortit. E njëjta gjë mund të thuhet për meshkujt të cilët jetojnë mbi kurrizin e bashkëshorteve të tyre.

3) Vet-vlerësim i ulët: Disa kanë vet-vlerësim të ulët, nuk njohin aftësitë e tyre, nuk dinë se çfarë mund të bëjnë. Shumë prej tyre humbin edhe shpresën për të qenë të lumtur.

4) Nuk duan të bëhen si prindërit e tyre: Shumë njerëz përpiqen të bëjnë të pamundurën që martesa e tyre e palumtur të funksionojë sepse ata mund të kenë një histori divorci të prindërve të tyre nga e cila kanë vuajtur vetë.

5) Shoqëria dhe feja: Personat që divorcohen, shikohen me sy të shtrembër nga shoqëria dhe feja. Shumë prej tyre pretendojnë të kenë një martesë të lumtur edhe nëse në fakt po vuajnë.

6) Ndjenja e fajit: Ka persona të cilët janë martuar pa miratimin apo mbështetjen e prindërve të tyre. Kështu, kur marrëdhënia po vjen drejt fundit, partnerët përpiqen më çdo kusht të mos kalojnë në divorc pikërisht për t`i vërtetuar vetes dhe prindërve që zgjedhjet e tyre nuk ishin të gabuara dhe që ata janë të lumtur në fakt me këto zgjedhje.

7) Vetmia: Shumë njerëz, qëndrojnë në martesën e tyre të palumtur për arsye se ata ndihen të vetëm dhe nuk kanë prindër ose miq apo shoqëri ku të mbështeten dhe kështu kërkojnë siguri në martesën e tyre pavarësisht se ata mund të ndihen të palumtur në të.

8) Përkatësia: Shumë njerëz qëndrojnë sëbashku, duke qenë se ata kanë krijuar bashkë një ndjenjë të përkatësisë familjare apo edhe ekonomike, deri edhe në një kafshë shtëpiake ku ata kanë investuar dashurinë dhe ndihen të lidhur me të e nga e cila nuk duan të heqin dorë për asnjë arsye.

9) Liria për të bërë jetë të pavarur: Shumë çifte arrijnë në një marrëveshje apo kompromis mbi mënyrën e jetesës së tyre ku burri mund të dalë me të dashurën e tij dhe gruaja mund të dalë më të dashurin e saj, por të kthehen përsëri nën të njëjtën çati dhe të shfaqen si një çift i lumtur për botën jashtë.

10) Të qenit i detyruar për të jetuar bashkë: Shpeshherë, çiftet detyrohen që të qëndrojnë bashkë për arsye të presionit shoqëror dhe atij familjar të cilët shqetësohen për reputacionin e tyre.

Pse njerëzit përpiqen kaq shumë që të shtyjnë marrëdhënien më gjatë kur në fakt dashuria ka humbur plotësisht? Pse, në të kundërt, të mos e lëmë atë e të gjejmë personin duhur ose të përpiqemi të jetojmë një jetë më të mirë? Pas të gjithash, jeta është shumë e shkurtër për ta shpenzuar atë në një jetë mjerane dhe është më mirë ta pranojmë atë dhe të lëvizim tutje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *