Nga Mirela Sula

Jeta e përditshme, e mbytur shpesh nga rutina, na ngre sa herë kurthe, duke na bërë në mos protagonistë të thashethemeve, “viktima” të tyre. Megjithëse kohët sa vijnë e ndryshojnë edhe në kontekstin shqiptar, duke e nxitur shoqërinë gjithnjë e më shumë drejt “izolimit”, krijimit të distancave, sërish nuk mungojnë rastet ku e gjejmë veten të përfshirë në thashethemet e radhës. Nevoja për të folur për të tjerët, për të ditur të fshehtat e jetës së tyre, dhe për t’i komentuar sipas perceptimit tonë buron shpesh në mënyrë të pavetëdijshme tek ne. Po çfarë fshihet mbas kësaj tendence të lashtë njerëzore? Në fakt, fjalët dhe thashethemet janë shprehje frike dhe prirje jo të vullnetshme. Dhe më shumë se qëllime të këqija ato shpesh janë të nxitura nga dëshira për të pasur kontroll mbi jetën intime të personit që është objekt i kuriozitetit, që thashethemexhiu e mendon si të rëndësishëm. Një vullnet, i njerëzve që orvaten për të ndërtuar lidhje sociale dhe për të krijuar një klimë intimiteti me të tjerët, që në një farë mënyrë forcon unin që ata duan të ndërtojnë. Madje, pjesa më e madhe e thashethemeve ka të bëjë shpesh me sferën intime, me atë dëshirë të madhe që kanë njerëzit për të ngritur perden dhe për të parë se çfarë bën tjetri me intimitetin e tij… Shpesh “t’i çjerrësh maskën” të tjerëve duket mënyra më e mirë për të rivlerësuar veten. A kemi me të vërtetë nevojë për këto mjete për t’u vlerësuar? Ndoshta nganjëherë harrojmë se duhet të eksplorojmë brendësinë tonë që të mund të kundrojmë ndjeshëm mendimet që ndodhen brenda nesh dhe t’i shtrëngojmë fort.  Shumë herë mund të ndjehemi keq, të gjendur në rrethana zhgënjyese, të ngritura ndoshta edhe nga njerëzit tanë të dashur, por në fakt thashethemexhinjtë ekzistojnë sepse ka gjithmonë njerëz të gatshëm për t’i dëgjuar.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *