koleta
NIKOLETA KOVACI

Gjendemi në një “institucion” të veçantë. Duket se ka njehsuar tokën me qiellin dhe gjithë universi gjendet brenda dhe rrotull tij. Është mjeshtri i skenës dhe i penës, i mendjes dhe i shpirtit. Është Xhevat Limani, shqiptari i përbotshëm që kumton vetëm shqipërisht, që ka në jetën e tij dy kryezonja që e frymëzojnë, e mbrojnë dhe e çojnë; që i çmon e i lartëson deri te Zoti. Njihuni me një rrëfim brilant të një kolosi filmi, që ka kapërcyer kufijtë e shqiptarisë për tu gjendur shqipërisht në Amerikë, nga ku nis edhe urimin për shqiptarët e tij. Shqipja e tij për Shqipërinë e tij është mrekulluese; ashtu siç edhe është gjithë vepra e këtij njeriu të madh, që duket se s`ka ndërmend të ndalet. Që nga starti e deri më sot, rrugëtimi i Xhevat Limanit është një përzierje e habitshme pasioni dhe misioni, me të cilën duhet të njiheni në këtë rrëfim krejtësisht origjinal. Ndoshta unik në llojin e vet!

 

Xhevat Limani, aktori brilant që gjendet gjithkund nëpër botë, ku e ka fiks Atdheun…?

Pas diplomimit në Prishtinë në vitin 1974, prof. im Anton Çeta më rekomandoi të shkoja në Teatrin shqiptar në Shkup. Në fillim u ndjeva si “ i përzënë” nga Prishtina, por më vonë e kuptova vizionin e profesorit tim. Unë isha aktori i parë i diplomuar për aktrim ndër shqiptarët nën Maqedoni. Më vonë, erdhën dhe të diplomuar të tjerë. U krijua një gjeneratë e fuqishme me ideal artistik. Dhe Teatri shqiptar ( i pakicave, thirrej asokohe) nga një formalitet politik u ngrit në një çerdhe institucionale ku edukohej publiku dhe një brez i ri i cili dëshmoi bindshëm dhe shqipërisht që nga demonstratat e `81-shit e deri tek Pavarësia e Kosovës. Me Teatrin shqiptar në Shkup realizuam projekte të një niveli të lartë profesional dhe artistik gjë që dëshmojnë edhe pjesëmarrjet nëpër shumë festivale teatrore në Ish-Jugosllavi, nëpër Europë dhe nëpër botë. Ne ishim i vetmi teatër shqip që dridhnim skenat teatrore evropiane meqë Teatri i Prishtinës, një kohë të gjatë, gjendej nën trysninë okupuese serbe ndërsa Teatri kombëtar në Tiranë ende lëngonte mbylljen e artistëve shqiptarë duke frymuar vetëm brenda Shqipërisë londineze.

Në vitin 2002, pas një atentati në Tetovë, u gjenda në SHBA. Aderova në Amerikë i papërgatitur meqë nuk dija anglisht dhe ky ishte një handikap i madh për mua. Mirëpo, betimi im artistik nuk më lejonte të dorëzohesha dhe, pas shumë dilemave,( luftoja për ekzistencë) vendosa dhe ndërmora një hap të guximshëm personal dhe kombëtar: hapa Teatrin shqiptar në Amerikë! Dua ta them publikisht, se pata një ndihmë të veçantë nga aktorja e madhe angleze dhe amerikane, ylli kinematografik znj. Vanesa Redgrave, të cilën e kisha shoqëruar gjatë krizës së refugjatëve të Kosovës nëpër kampet e Stenkovcit dhe Çegranes, në të cilat ajo qëndroi dhe luante shfaqje për fëmijët e traumatizuar bashkë me yllin e Holiëoodit, z. Rooger Moor. Unë i shoqëroja dhe iu ndihmoja t’i shqiptonin më mirë fjalët e zgjedhura për t’u zbutur zemrën dhe plagët fëmijëve të përzënë nga vatrat e veta prej soldateskës barbare serbe.

Kur u ktheve në IRJM-së u ndjeva i huaj , meqë “kolegët” me të cilët kisha ndarë golgota e mia artistike dhe jetësore, kishin marrë mundimin dhe detyrimin vasal, duke më përjashtuar nga Teatri, (unë i ngrati prisja të më përzinte politika shoviniste sllavo-maqedonase, e jo ca masha vegjetuese dhe servile për ca përfitime të imta),me idenë se po mungoj më tepër se afatet ligjore. Këta lakej kurrë nuk panë se si mungonin një pjesë e madhe e aktorëve argatë gjatë tërë veprimtarisë së tyre që në teatër vinin sa për të marrë rrogë apo ndoshta edhe për shërbime tjera. Pra , u gjenda “i hedhur” nëpër botë dhe për këtë i falënderoj publikisht ish-kolegët e mi. Mirënjohja ime do të ishte edhe më e madhe sikur këtë veprim ta kishin bërë nja 40 vite më parë. Në SHBA gjatë vitit 2002 themelova institucionin e parë profesionist “Teatri shqiptar në Amerikë”. Dhe këtu fillova të ndjehem mirë, edhe përkundër të “keqes së madhe” që s’ dija anglisht. S’më mbetej gjë tjetër pos t’i përvishem anglishtes. Paralelisht punoja me shfaqje-projekte për ta mbajtur gjallë frymën teatrore. Kam luajtur shumë shfaqje nëpër botë, mirëpo asnjëherë s’i harroj lotët e gëzimit të premierës së parë teatrore “ANATEMA” në autorësinë dhe regjizurën time atë mbrëmje të ftohtë dhjetori në Teatrin e Dany Cay-t “Playhousse theatre of Danny Kay-s” në rrugën 68 kryqëzuar me Avenynë e gjashtë ‘AMERICA’. Salla e përmbushur (mbi 800 vetë), në fund të shfaqjes përjetoi “kat`harsis” shqiptar. Ovacionet e publikut s’kishin të ndalur ndërsa ne aktorët në skenë lotonim si ata fëmijët e humbur që kanë gjetur të dashurit e tyre. Dashuria jonë ishte ai publiku i mrekullueshëm që e mbështeti edhe në projektet e ardhshme Teatrin shqiptar në Amerikë. Prej atij çasti m’u fiksua kryedashuria ime e Atdheut..!

 

xhevat 2

 

Po muza e Xhevat Limanit, ku fle? Po me u zgju , si zgjohet?

Muza ime fle në ëndërrimet e mia. E doja teatrin dhe filmin që kur isha fëmijë i vogël. Në shkollë dallohesha për tingullin e veçantë në lexime dhe recitime. Në gjimnaz njoha kryedashurinë time, Lulen. E dashurova në shikim të parë. Iu besatova se do të jetë zonja ime. Dhe ashtu ndodhi. E rrëmbeva për ta çuar kumtin në vend si shpirt kryecubi. Lulja më shoqëron një jetë të tërë. Ajo dridhet në publik kur unë dale në skenë. Vetëm shpirti i saj që kurrë s’e bëri gjumin gjumë i di shqetësimet e mia. Unë krijoja sikur desha t’i dëshmoj se e meritoj dashurinë e saj të madhe. Ajo sakrifikoi gjithçka duke më zgjedhur mua. Dhe unë e ndjeva veten i zgjedhur, sado që zgjedhjen e kisha bërë me vetëbindje. Lulja m’u shndërrua në muzë. Ajo nuk fle kurrë s’e bart shqetësimin tim. Parimi im skenik është kodi im me besë: të mos turpërohem para publikut. Dhe kjo ende nuk ka ndodhur s’e frymoj dhe krijoj vertikalisht, me bindje dhe dinjitet artistik. Artisti asnjëherë nuk mund të krijojë pa qenë i koncentruar. Faktorë të rëndësishëm koncentrimi për bindjen time janë: suporti reciprok prindëror, dashuria e sinqertë në bashkëshortësi, arritjet e fëmijëve dhe zgjidhjet e tyre fatlume që nuk të sjellin para akteve traumatike. Jeta tani ka një ritëm dhe dinamikë marramendëse. Dhe po s’lëvize del jashtë loje. Kjo është dialektika artistike.

Lulja m’u shndërrua në muzë. Ajo nuk fle kurrë s’e bart shqetësimin tim.

Shqiptari nga Struga e bukur, që ka luajtur në mbi 100 premiera, ku e shikon veten në rolin e ardhshëm?

Kryeqyteti i bukurisë së natyrës shqiptare, Struga është pikënisja ime. Aty nën valët e liqenit që çajnë tutje përmes Drinit të Zi nëpër Shqipëri nis fluturimi im qiejve shpirt`hyjnorë të skenave shqiptare dhe botërore. Përballë lisave të gjatë kisha Qafë Thanën, Shqipërinë e ndaluar që më frymëzonte fëmijërinë time me dashuri Atdheu. Duke mbledhur çaj mali ndjeja frymën shqiptare të natyrës. Gjatë kam qenë i bindur dhe këtë imazh s’e fshij dot as sot, se ata lisat e gjatë më duket sikur qanin. Era me psherëtimë dhe ujërat me çikërrimë mbushën trupin tim me aromë Shqipërie. Apostulli im poetik, Naim Frashërin, e ka ndjerë mirë vajin shqipërisht të maleve kryelarta që s’i përkulën shekujt zezonë. Artisti që nuk e ndjen vajin e Tokës, popullit të vetë, ai rron kot në mjegullinë dhe errësirë improvizuese. Kryedëshira ime e madhe teatrore është ta inskenoj dramën “DODONA” me Teatrin e operas dhe baletit në Tiranë. Kemi rënë dakord me kryemjeshtrin e baletit z. Ilir Kerni që, posa të gjenden modalitetet financiare, të fillojmë me realizimin e projektit. Në këtë mjuzikëll të madh do të luajnë aktorë nga të gjithë teatrot shqiptarë kudoqofshin ato, do të luajnë si mysafirë aktorë të Teatrit shqiptar në Amerikë si dhe disa yje shqiptarë në filmin amerikan. Ëndrra ime tani është filmi. 

Xhevat Limani shihet në një sërë profesionesh, ku duket lidhja e pazgjidhshme me aktrimin; Çdo të thotë të jesh aktor?

Eskili ishte dramaturg, regjisor dhe aktor. Molieri ishte dramaturg, regjisor dhe aktor. Shekspiri po ashtu; ishte dramaturg, regjisor dhe aktor. Brehti, Stanislavski, Çehovi dhe Strasbergu ishin po ashtu dramaturgë, regjisorë dhe aktorë. As Xhevat Limani nuk bën përjashtim.

Dramaturgu shkruan veprën dhe pret. Ai pret regjisorin e motivuar të cilin e ka ngacmuar vepra. Lind shtysa ide e realizimit. Ura që lidh bregun tjetër patjetër ndalet tek Lartmadhëria e tij-Aktori. Vetëm Aktori është fjala e fundit. Dramaturgu mund të shkruaj sa të dojë dhe, diku, pezullohet roli i tij. Regjisori valëvitet në detin e shqetësuar krijues dhe pezullon aktin e tij para se të ngrihet perdja. Dhe pret duke u dridhur pas skene. Në skenë para publikut del Lartmadhëria e tij-Aktori. Qëndron përballë publikut dhe legjitimon veprën e autorit bashkë me idetë realizues të regjisorit, por padyshim me vulën e tij shpirt`hyjnore. Aktori i prirë nga super-egoja e tij për të dëshmuar publikisht me mjete të zgjedhura artistike kthehet në ndërgjegje pengërie mes dëshirës, vullnetit, forcës hyjnore dhe kreative që përmes ngjyrimeve emocionale, pauzave shpirtmuzikore, gjesteve të matura që testamentojnë formën e magjisë trupore dhe organike të mbiqenies krijuese-Artistit. Lartmadhëria e tij bën operacion pa anestezi personazhet dhe vetëm ai pushtohet nga ndjenja e Triumfit mbi vdekjen. Çdo krijim i Artistit është një ngadhënjim mbi vdekjen. Personazhi i parealizuar mbetet peng i një mëkati të pashlyer. Artisti i vërteti ka vetëdije të kontrolluar dhe duhet të jetë sy-mendjeçelur. Nëse ndodh të përgjumet mes improvizimit dhe shëmtive, shpirti dhe trupi i tij notojnë frekuencave të një krimi të papërligjur dhe ashtu dalëngadalë ai merr “dënimin e merituar” duke rrëshqitur drejt vdekjes fizike. Të jesh aktor do të thotë ta mundësh “vdekjen”. Natyrisht në skenë…

 xhevat

A jetohet gjithnjë në rol, apo dini të dilni edhe jashtë…?

Unë, Xhevat Limani, iu përkas aktorëve me bindje! Unë luaj rolet në skenë dhe vetëm në skenë. Skena është tempulli i shenjtë ku dritësohet terri. Ata aktorë që konsumohen kafeneve dhe rrugëve, kur dalin në skenë ndjehen të lodhur, të rraskapitur, të dremitur dhe mbarojnë të paduartrokitur. Aty fillon mjerimi i aktorit. Të tjerat pasojnë bashkë me ligësinë. Çdo improvizim shpie në “çmendinë” artistike. Natyrisht se aktori mban dhe përcjell në vete dhe përtej vetes shpirtra të trazuar personazhesh, por ai duhet të kujdeset emocionalisht dhe shpirtërisht që mos i hapet vetvetiu ajo “Kutia e Pandorës” si sekret artistik se atëherë nuk gjen shërim në tërë spitalet e botës. Aktori është personalitet karizmatik dhe duhet ta ruaj veten që shkëlqimi “ i tepruar” të mos ia errësojë sytë dhe mendjen.

Çfarë i ndodh aktorit kur përballet me publikun? Sa vend zë publiku në memorien e një aktori filmi? Si e mendon atë kur është në xhirim?

Ka vetëm aktorë që dinë të luajnë teatër dhe film dhe ajo kategoria me shumicë, ata që nuk dinë të luajnë dhe shndërrohen në “filozofë” të padeklaruar duke eksploruar atë se çfarë kanë pasur ndërmend të bëjnë. Akti i krijimit njeh kriterin standard të fillimit: Vepro. (Pra vepro dhe mos trego). Veprimi si akt krijues e bën aktorin të përgjegjshëm dhe të pranueshëm. Nuk ka publik që nuk e kupton teatrin apo filmin. Ka vetëm aktorë që s’dinë të luajnë, ndaj edhe nuk kuptohen me “komplikimet” e tyre. Lartmadhëria e tij, Aktori, duke krijuar realizime artistike, paralel ai ka krijuar edhe publikun e tij. Lidhja e tij me publikun fillon që nga duartrokitjet premierike e deri sa të mbahet mend personazhi, filmi, apo shfaqja. Atë çast kur aktori harrohet nga publiku, nuk përshëndetet më, ai duhet të kuptojë se ka marrë fund. Pra është kthyer tek numrat që zvarriten rrugëve si krimba. Aktori në shesh të xhirimit duhet të jetë sy e vesh në kërkesat e regjisorit, të partnerit dhe veçmas të mjeteve të informimit. Aktori nuk mund të rrojë për vete. Ai krijon vetëm për të tjerët, natyrisht duke nderuar veten e tij. Ai duhet ta dijë se në shesh xhirimi përcillet dhe i nënshtrohet kërkesave dhe disiplinës krijuese. Sekreti i tij duhet të jetë i koduar nëse nuk do që të mbarojë tek imituesit, shëmtuesit e artit dhe të jetës.

 Atë çast kur aktori harrohet nga publiku, nuk përshëndetet më, ai duhet të kuptojë se ka marrë fund.

Edhe shkruani, pse edhe kjo qasje drejt fjalës?

Kur luaj shpesh në teatër ndjej “vakume artistike” për realizime televizive. Herë-herë ndjehem borxhli ndaj filmit. Filmi për ne aktorët shqiptarë nën Jugosllavi ishte diçka e pakapshme. Censurimi ideologjik në film krijonte kastën e aktorëve që duhej të ofronin shkëlqimin e shtetit. Mjerisht ne nuk e ndjenim “suportin shtetëror” në film. Shtetin ne e ndjenim si ligësi, atavizmë që rrinte pezull mbi ndërgjegjen tonë me forma kërcënuese prej hetimeve e deri tek arrestimet dhe burgosjet.

Boshllëkun e realizimit dhe ndjenjës së munguar e kam plotësuar duke shkruar. Së pari botova vëllime poetike, pastaj vepra dramatike( si gjini më e vështirë) dhe tani kam shkruar edhe roman. Kam një duzinë veprash në dorëshkrim. Unë shkruaj vetëm siç ma merr mendja mua. Pa ndonjë prototip-idhull-model. Unë në art dhe në shkrime dua dhe jam: ‘Vetvetja’. Ndaj edhe e kam deklaruar vetveten ‘INSTITUCIONI XHEVAT LIMANI’.

 Xhevati, aktori shqiptar me një pamje të veçantë; është ndërtuar apo është dhuratë…?

Unë jam krijesë hyjnore me vullnet prindëror. Geni (ADN) i Babës dhe qumështi i Nënës më çanë rrugën drejt dhuntisë. Natyrisht që nevojitet edhe pak shkollë për të mos e humbur rrugën në pyllin e jetës nga bukuria e rrejshme e drurëve të sëmurë.

Cila është lidhja e Xhevatit me Xhevatin, sa urrehen apo vetëm duhen…?

Për të krijuar nevojitet qetësi. Zhurma është për turma. Shpeshherë komunikoj me veten time në heshtje dhe sjell vendime Tingëllueshëm. Unë nuk e njoh urrejtjen. Kam lindur dhuratë në një janar. Pra jam i Pari në vitin e lindjes. Pse të mos jem i parë edhe në kalendarin e bindjes. Arti për mua është Bindje. Unë komunikoj mirë me veten time. Një meritë dhe falënderim të veçantë për këtë ka edhe kryezonja ime, Lule. Dinjitetin m’a kanë ruajtur vajzat e mia, Furtuna dhe Era të cilat më bëjnë të ndjehem krenar. Ndërsa lumturinë dhe kënaqësinë ma shtojnë mbesat Lea dhe Liza si dhe nipërit Leoni dhe Remziu II. Shpresoj se këta (mjalta e mjaltit) do ta vazhdojnë rrugëtimin tim hyjnor. As e urrej veten dhe as më kaplon ndjenja narcisoide. S’kam kohë boshëtirash…unë vazhdoj të ëndërroj dhe besoj në Tingull të fuqishëm artistik. Nëse Zoti dikujt u ka falur zëra gomerësh të pëllasin, unë besoj dhe jam i bindur shqipërisht se zërin e Bilbilit, Zoti ma ka falur dhuratë. Dhe unë dua të këndoj…Tingëllojë…Shqip si dhuratë Perëndie me bekim Shqipërie!

Jeni burrë i parë i zgjedhur për kopertinën te “STAR”; cili është mesazhi juaj për shqiptarët, po për shqiptarinë…

Të jesh i zgjedhur është privilegj…Porosia ime për shqiptarët është në frymën e rilindësve tanë të cilët shitën tërë pasurinë për ta bërë Shqipërinë. Unë nuk kam pasuri të patundshme. Tokën e babait ua fala vëllezërve të mijë që sado i lodhur nëpër botë qofsha, kur të kthehem në vendlindje derën e Babait tim të madh ta kem hapur. Nuk kam as ara me misër dhe grurë, as vreshta e kantina me verë, as shtëpi dhe para në bankë…, unë po ju lë trashëgimtarëve të mi tingullin tim, fjalën e bukur shqipe, librat e mia, shfaqjet e mia (që fatkeqësisht pushteti ish-jugosllav dhe sllavo-maqedonas u përkujdes që të mos xhirohen një pjesë e madhe, por edhe një pjesë tjetër i fshiu si xhirime që të mos mbetet promemoria ime artistike), filmat e mi dokumentarë dhe artistik.

Shqiptarët e mi; unë ju dua shqip dhe shqipërisht!

Ngrijeni lart flamurin me shqiponjë që Shqipëria të jetë Kryezonjë…!

 

Intervista eshte marre nga Revista STAR

https://www.facebook.com/Revista-STAR-755543737870732/?fref=ts

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *