E kaluara s’mund të “blihet”

 Që kur jemi në moshë të vogël mund të dallohet qartë përpjekja jonë për të kapur kuptimin apo shijen e të jetuarit. Përvoja të hidhura në fëmijëri mund të na japin shpesh edhe “nëntekste” krejt të kundërta për jetën, dhe në një moment të caktuar të saj mund të na ndodhë ta interpretojmë atë në mënyrë të gabuar. Njeriu që ka përjetuar ngjarje të trishtuara në vogëli mund të ndjejë vështirësi për ta shijuar jetën teksa vitet kalojnë aq sa shpreson se vetëm një ilaç (çudibërës) mund të arrijë ta shpëtojë duke e ndihmuar të projektojë ardhmen e tij. Në komunikimin që ne kemi ndërtuar gjatë kësaj kohe përmes postës elektronike kemi ndarë shpesh të vërteta të jetëve tona të cilat kanë qenë nga më të ndryshmet. Por ndër më tronditëset kanë qenë padyshim historitë rrëqethëse që disa lexues na kanë besuar lidhur me të kaluarën e tyre. Shumë psikologë, bashkëpunëtorët tanë, përmes temave të trajtuara kanë theksuar shpesh se sa e rëndësishme është e kaluara në jetën e secilit prej nesh. Në nevojën e pashmangshme për të ndihmuar vetveten nuk mundemi në asnjë mënyrë që t’i ikim asaj duke e mohuar si të mos jetë e jona. Përkundrazi vetëm duke punuar me të shkuarën dhe episodet e saj që vazhdojnë të na trazojnë edhe jetën e tanishme mund të arrijmë të gjejmë përgjigjet e shumë pikëpyetjeve që rriten bashkë me ne teksa vitet kalojnë. Në faqet që do të vijojnë do të gjeni histori tronditëse, detaje gati të pabesueshme dhe thirrje të forta që kërkojnë përgjigje.

Mbesa e abuzuar nga gjyshi

Shënim: Po jua dërgoj këtë histori me shpresën se do ta botoni për të ndërgjegjësuar edhe lexues të tjerë që të kujdesen për fëmijët e tyre, pasi bota është kaq e pasiguritë për ta.

Prindërit dhe gjyshërit e mi për mua kanë qenë gjithnjë pika referimi. Unë isha vajzë e vetme, dhe duke qenë më e vogla e shtëpisë isha në sytë e të gjithëve dhe gjithnjë e përkëdhelur. Gjyshi ishte shumë i dashur me mua. Më thoshte gjithnjë se edhe pse isha e vogël duhet të mësoja. Me të ndjehesha shumë mirë, e besoja me gjithë shpirt, dhe pse ai mbante gjithnjë  anën time.

Kur isha 4 vjeçe përkëdheljet e gjyshit u bënë më intime, deri sa këto përkëdhelje u bënë një lojë që ai më ftonte t’i bënim sa herë ishim vetëm. Unë e kënaqja gjithnjë sepse nuk më sillte dhimbje fizike. Dhe pastaj çfarë motivesh kisha unë për të dyshuar tek ai? Në fund të fundit ishte i vetmi njeri që më kishte marrë seriozisht. Por kishte diçka të dyshimtë. Gjyshi më përsëriste gjithnjë se nuk duhet t’i tregoja kurrë njeriu ato gjëra që bënim bashkë sepse ai do përfundonte në burg dhe mua do më rrihnin shumë. Ato gjëra mund t’i bënin vetëm njerëzit e mëdhenj. Por ai më donte shumë dhe meqë unë isha fëmijë inteligjent përse të mos m’i mësonte ai?

Për tre vjet kam bërë çdo gjë që ai më kërkonte, sepse nuk dija si ta kundërshtoja. Nuk e dija se duke e lejuar të përdorte trupin tim po humbisja fëmijërinë. Vetëm vite më vonë kam kuptuar se ajo ishte një lojë që nuk doja ta bëja. Në fillim ishte si të vidhje një karamele me ndihmën e një të rrituri. Por duke u rritur, përkëdheljet e tij nisën të më bezdisnin. Tani nuk e shihja më siç shohin fëmijët një të rritur, por si një plak që më fuste duart. Shihja duart e tij plot me rrudha, dhëmbët e verdhë, erën e keqe të gojës. Gradualisht u binda se nuk do gjeja askënd që do martohej me mua. U ndjeva e bërë pis nga ai faj i cili më ndalonte të ëndërroja princin e kaltër dhe më dukej sikur të gjithë e dallonin këtë gjë tek unë. Unë nuk doja më dhe gjyshi im pranoi vendimin tim pa thënë asgjë. Kishte shumë frikë se mos e denoncoja. Dëshira ime ishte ta mbaja të varrosur në shpirt dhe të mos e tregoja kurrë.

Përveç këtij sekreti raporti ynë në sytë e të tjerëve ishte krejt normal. Edhe pse ai më lutej gjithnjë unë nuk i plotësoja më kërkesat e tij. Por hija e sekretit më bënte të jetoja në ankth dhe në tmerr. Provoja vetëm shpifje për të dhe për trupin tim. Kam dëgjuar shumë mbi atë ccka flitet për këtë çështje dhe nuk besoj se gjyshi im ishte i sëmurë por edhe një derr i mallkuar. Dhe mendoj se pjesa më e madhe e atyre që abuzojnë me fëmijët nuk janë të sëmurë,  por derra. Dhe pikërisht për këtë gjë pjesa më e madhe e abuzimeve mbetet sekrete. Nuk ka një kufi të abuzimit. Mund të ndodhë në çdo vend dhe në çdo familje, e pasur apo e varfër, me kulturë apo injorante. Isha 14 vjeçe kur në një nga ditët e mia depresive këtë abuzim ia konfidova mamasë dhe gjyshes sime. Por ato m’u përgjigjën se nuk mund të ishte e vërtetë. Gjyshi më donte shumë për të më bërë një gjë të tillë. U ndjeva si budallaçkë. Isha lodhur aq shumë për ta mbajtur të fshehtë, sepse mendoja se do më gjykonin keq. Ky sinqeritet më bëri të ndihesha akoma dhe më keq. Mendoja se nuk ekzistonte në botë ndonjë vajzë tjetër që mund të kish bërë një shpifësirë të tillë. 

Kur u dashurova për herë të parë ia tregova këtë abuzim dhe të dashurit tim. Ai më tha se duhet ta mbaja të fshehtë. Mendova dhe i dashuri donte të më shfrytëzonte për seks. Ia tregova disa shoqeve dhe ato më thanë se nuk dinin si të më ndihmonin. Kur njoha tim shoq,  më besoi dhe më tha se do më ndihmonte me çdo mënyrë. Vetëm kur kam sjellë në jetë fëmijët e mi kuptova se nuk kisha asnjë faj. Studiova fëmijët e mi, lexova shumë libra pedagogjie dhe psikologjie. Zbulova se ekziston seksualiteti tek fëmijët. Kuptova se fëmijët kanë nevojë për përkëdhelje dhe për ta është një nevojë jetësore. Kuptova që gjyshi im kishte përfituar nga pafajësia ime për të më përdorur. Kishte manipuluar mendjen time që në fillim për të kënaqur kërkesat e tij. Kishte mundur të më mashtronte deri në atë pikë sa të më bindte se unë isha ajo që e kisha marrë iniciativën e para. Por si mundet një fëmijë të dojë raporte me të rriturit, kur dhe ai vetë nuk e di se çfarë është një raport?

J.

Inçesti

Përkufizimi tradicional i incestit përfshin marrëdhënien seksuale midis personave të së njëjtës familje(që kanë lidhje gjaku). Megjithatë tashmë ky përkufizim po zgjerohet më tej dhe përmban thyerjen e besimit dhe mosbalancimin në fuqi në këto marrëdhënie të njëanshme. Një përkufizim është: “imponimi i akteve seksuale të papërshtatshme nga një ose më shumë persona të cilët kanë autoritet nëpërmjet krijimit të një lidhje emocionale të vazhdueshme me fëmijën”. Pra, incesti përmban abuzimin seksual nga çdo kush që ushtron fuqi ose autoritet mbi fëmijën. Ekzistojnë shumë lloje marrëdhëniesh seksuale që tashmë etiketohen si inceste: baba-vajzë, njerkë-vajzë, baba-djalë, njerkë-djalë, mama-vajzë, mama-djalë. Këto janë të gjithë shembuj të incestit prindëror, dhe ai që ka tërhequr më shumë vëmendjen publike dhe që është raportuar më shpesh është midis babait ose/dhe njerkut dhe vajzës.

STUDIMI ne Shqipëri
Vajzat të “trembura” nga rimartesa e nënës
Në një studim cilësor të bërë me adoleshentë në gjimnazet Tiranës, (Mirela Sula; 2004) të cilët po përjetonin divorcin e prindërve, si dhe në ndonjë rast rimartesën e nënës, u vu re se vajzat prireshin të mendonin ndryshe nga djemtë. Nga të gjitha vajzat e intervistuara u përjashtua në mënyrë kategorike rimartesa e nënës, ndërsa rimartesën e babait e quanin më të tolerueshme. Ndërkohë djemtë ndanin një mendim të ndryshëm nga vajzat. Rreth 80% e tyre u shprehën se nëse nëna do të gjente një partner të përshtatshëm, do ta pranonin një burrë tjetër në jetën e saj, por pa e zëvendësuar figurën e babait të vërtetë tek ata. Nga ky rezultat, duket qartë se vajzat i “tremb” prania e një burri “të huaj” në shtëpi, aq më tepër në këtë moshë. Në fakt, shumica prej vajzave e prekën në mënyrë indirekte edhe faktorin e moshës së tyre, duke qenë në një stad madhor, ato nuk e kishin të lehtë të përshtateshin me njerkun, ndaj dhe shpesh vihej re një lloj ankthi tek ato, sa herë përmendej ideja e një mundësie të tillë.

Djemtë dhe vajzat e përjetojnë ndryshe dhunën seksuale
Studime të shumta kanë demonstruar ndryshime të rëndësishme gjinore në mënyrat se si vajzat dhe djemtë e perceptojnë dhe kuptojnë eksperiencën e tyre të dhunës.
vajzat
Ato e konceptojnë incestin në një kontekst më të gjerë të marrëdhënies midis fëmijës dhe të rriturit e janë më shumë të preokupuara me ndjenjat e abuzuesit të tyre dhe stabilitetit familjar.
djemte
Në të kundërtën, djemtë fokusohen më së shumti në eksperiencën e tyre seksuale.

Efektet psikologjike tek viktima

Fëmijët e abuzuar seksualisht raportojnë ose/dhe manifestojnë simptoma të ndryshme afektive, konjitive, psikologjike dhe fizike. Ato zakonisht përfshijnë probleme me sjelljen, çrregullime të ankthit, tërheqje nga aktivitet e përditshme, makthe, stimë të ulët për veten, sjellje seksuale të papërshtatshme për moshën, agresion kundrejt vetes, etj. Nga një përmbledhje e 45-studimeve janë identifikuar dy modele të përgjigjes psikologjike kundrejt incestit. E para ka të bëjë me simptologjinë e stresit pas traumës, dhe e dyta me një rritje në sjelljet seksuale, përfshirë lojën seksuale me kukullat, masturbim në publik, sjellje provokuese si dhe njohuri e sjellje seksuale të papërshtatshme për moshën e fëmijës.
Për më tepër, pothuajse 40% e të gjithë viktimave i vuajnë pasojat edhe gjatë maturimit. Ata e kanë të pamundur t’u besojnë të tjerëve, kanë frikë nga intimiteti, vuajnë nga depresioni, fillojnë të adhurojnë kultin e vdekjes, zhvillojnë probleme me të ngrënit si dhe izolohen nga të tjerët. Frekuenca dhe ashpërsia e simptomave lidhet ngushtë me frekuencën dhe kohëzgjatjen e dhunës por edhe me moshën e fëmijës, marrëdhënien që ai/ajo ka me dhunuesin, përdorimin e forcës, llojin e dhunës seksuale, penetrimin si dhe me mbështetjen prindërore. Shumica e viktimave përjetojnë konfuzion rreth reagimeve të tyre për eksperiencën e përjetuar. Dhe është pikërisht kjo humbje e pafajësisë së bashku me konfuzionin e shkaktuar, humbjen e kontrollit dhe fuqisë mbi sjelljen e personit që çon në efektet psikologjike dhe emocionale të viktimës. Ata shpesh përjetojnë, në kohën e aktit por edhe si të rritur, një ndjenjë turpi, faji, humbje shprese dhe mbi të gjitha humbje të fëmijërisë të tyre.

Viktimat e fshijnë nga kujtesa dhunën seksuale

A është e vërtetë që njerëzit harrojnë gjërat e tmerrshme që i kanë ndodhur gjatë jetës së tyre? Po për kujtimet fallso, ç’mund të themi? A janë disa kujtime me të vërtetë fallso?
Shumica e njerëzve kanë kujtime të “gjalla” për situatat negative që kanë përballuar në jetën e tyre, por ngandonjëherë trauma të tipit ekstrem mund edhe të fshihen nga kujtesa. Shkencëtarët po e studiojnë këtë fenomen dhe tashmë po fillojnë ta kuptojnë më mirë atë.
Memoria nuk përngjet me një kasetofon. Truri e proceson informacionin dhe e ruan në një mënyrë krejt të ndryshme. Shumë prej nesh mund të kenë përjetuar disa eksperienca të vështira, të cilat i kujtojnë deri në detaje. Kjo ndodh pasi këto episode, jo shumë traumatike, mund të stimulojnë memorien afat-gjatë, ndërsa traumat ekstreme e shkatërrojnë këtë memorie dhe ruhen si emocione ose sensacione, e jo si episode.
Studimet e shumta kanë demonstruar se njerëzit që kanë përjetuar ngjarje traumatike, siç mund të jetë dhuna seksuale, mund ta harrojnë tërësisht episodin traumatik. Ky fakt nuk do të thotë se kjo ngjarje është fshirë nga kujtesa e tyre. Pas disa vjetësh ajo mund të rikthehet, në fillim në formën e emocioneve, më pas në copëza të vogla memorieje ku personi ndjen sikur po e ri-jeton ngjarjen. Ky material gradualisht bëhet më i integruar deri sa ngjason me çdo kujtim tjetër të individit.

A janë kujtimet e rikuperuara domosdoshmërisht të vërteta?

Ekziston shumë debat rreth kësaj çështjeje. Disa psikologë, të cilët punojnë me të mbijetuarit e traumave, besojnë se kujtimet janë të vërteta pasi ato janë gjithmonë të shoqëruara me emocione të forta. Të tjerë, kanë raportuar se disa nga pacientët e tyre kanë rikujtuar ngjarje të cilat mund të mos kenë ndodhur në realitet
Gjithashtu një grup tjetër psikologësh, mbështet idenë se janë pikërisht terapistët që “induktojnë kujtime” tek pacientët vulnerabël duke i sugjeruar se ato kanë qenë viktima abuzimi kur në të vërtetë asgjë nuk ka ndodhur. Sigurisht që kjo nuk mund të jetë kurrsesi terapi e mirë, dhe shumica e psikologëve janë të kujdesshëm që të mos sugjerojnë shkaqet e ndonjë simptome pa qenë vetë pacienti që i identifikon ato.

Shërimi kërkon një terapi psikologjike

Shërimi i të mbijetuarve nga dhuna seksuale është zakonisht një proces që përfshin tre ose pesë vjet terapi psikologjike. Aftësia e njerëzve për t’u shëruar nga një eksperiencë shkatërruese është e lidhur ngushtë me ndjenjat e tyre të frikës, terrorit, mërzitjes, konfuzionit, dhe cënueshmërisë. Një reagim i tipik i atyre që janë abuzuar si fëmijë është shkëputja e vetes nga ngjarja – zhvillimi i një ndjesie se kjo i ka ndodhur dikujt tjetër dhe i një ndjesie së shkëputjes nga trupi gjatë kontakteve seksuale. Rreziku qëndron në atë që mohimi mund të kthehet në mënyrën më të preferuar për të përballuar stresin. Të lëvizësh nga mohimi drejt shërimit kërkon që viktima e incestit t’i lejojë vetes përjetimin e ndjenjave të konfuzionit, tërbimit dhe pambrojtshmërinë. Për të manipuluar viktimën, shumica e autorëve të incestit ushqejnë tek fëmija një sërë sjelljesh që e ndihmojnë atë të vazhdojnë ta mohojnë dhe gënjejnë veten – kaq shumë të nevojshme për t’i mbijetuar marrëdhënies së vazhdueshme seksuale. Ja pse, pjesë e procesit të shërimit është ndërgjegjësimi i viktimës rreth kontekstit në të cilin ai/ajo ka bërë zgjedhjet. Shpesh, gjatë trajtimit, viktimat fitojnë një sens fuqizimi pikërisht atëherë kur fillojnë të kuptojnë zhvillimin në kohë të marrëdhënies me abuzuesin. Ata, më pas, gradualisht rriten në aftësinë e tyre për të bërë zgjedhje dhe për t’i implentuar suksesshëm ato.

 Fragment nga letra e një lexueseje

Kur kam qenë e vogël, përafërsisht 6 ose 7 vjeçe, nuk e di saktësisht moshën, kam përjetuar diçka të pazakontë: kisha kontakte seksuale me dy kushërinjtë e mi (të cilët në fillim i konsideroja si vëllezër). Ata në atë kohë ishin mbi njëzet vjeç. Nuk shkoja me te dy në të njëjtën kohë, por herë pas here me thërrisnin njëri ose tjetri. Kishin një dyqan ushqimoreje dhe në fund si shpërblim më jepnin një çokollatë. Kështu vazhdoi për një kohë të gjatë, ndoshta një vit, derisa më zbuloi motra e madhe dhe më tha: “në qoftë se vazhdon do mbetesh shtatëzenë”. Atëherë unë nga frika fillova të mos shkoja më me ta. Ata më thërrisnin, ose kur kaloja afër tyre m’i tregonin organet gjenitale… Por arrita t’u shmangesha. Një kohë të gjatë vazhdova jetën time pa probleme, por kur filloi të më kujtohej, kjo ishte tmerr. Isha në vitin e parë fakultet dhe një prej lëndëve që bënim ishte psikologji, aty lexova për pedofilinë dhe m’u kujtuan…, ose disi u zgjua brenda meje kjo ngjarje. Shkova te gjinekologu i cili më trembi akoma më shumë: ai më tha se kisha disa çarje por mund ta “rregullonte” virgjërinë tek unë, por unë kurrsesi nuk shqetësohesha nga kjo atëherë. Më pas shkova te psikiatri dhe fillova me terapi. Isha më mirë, dhe e ndërpreva, por pastaj prapë vazhdova me terapi. Herën e fundit që kam qenë te psikiatri, para 2 viteve, sërish më erdhi për shkak se lexova diçka në psikologji që më kujtoi atë gjë. Gjithashtu, kishim një rast, një vajzë me psikozë të cilën e kishte përdhunuar babai i saj. Kjo ndikoi shumë keq te unë, pasi pata filluar të marr veten dhe kisha 2 vjet pa marrë antidepresivë. Filloi të më zinte frika se do të çmendesha… Me iku gjumi, humba shumë në peshë. Kështu që shkova prapë te psikiatri ku vazhdova edhe 6 muaj me antidepresivë (shkoja çdo muaj për kontroll). Ai më këshilloi të shkoj edhe një herë te gjinekolgu dhe të vërtetoja nëse isha apo nuk isha e virgjër pasi kjo ishte ajo që më së shumti më mundonte (që edhe sot më mundon). Gjatë ekzaminimit në gjinekologji kisha shumë dhimbje dhe dy-tre pika gjak, edhe kjo mjeke më tha po të njëjtën gjë si gjinekologu para disa viteve, por unë tani jam edhe më e pa sigurtë: a jam apo nuk jam e virgjër?  Për të qenë më e qartë, në prill të vitit të kaluar fillova të mendoj se do të çmendem, se nuk është normale që një kohë kaq të gjatë të merrem me këtë problem. Çdo sëmundje që dëgjoja se i binte dikujt mendoja se e kisha edhe unë: pija shumë ujë, humba shumë në peshë, fillova të kem probleme me gjumin (në mëngjes më dilte gjumi herët dhe me nuk mund ta vazhdoja më), mbi të gjitha shqetsohesha vetëm për provimet, vetëm këtë dëshiroja: që mendimet e këqija të mos më pengonin për mësimet. Për disa muaj përdora antidepresivë por gjatë tërë këtyre viteve si me terapi si pa terapi vazhdimisht shqetësohesha kur mendoja se: nëse lidhesha me ndonjë djalë si do ta pranonte ai problemin tim? A duhej t’i tregoja …?

N…

************

Rasti i N është vërtetë jo i zakonshëm, dhe pavarësisht se me kalimin e viteve është përpjekur të shkëputet nga ajo ngjarje e padëshiruar, sërish duke u ekspozuar me situata apo shenja të tilla të ngjashme, tregon se ajo çfarë ka ndodhur në të shkuarën ka mbetur ende e pazgjidhur brenda saj. Duke qenë në një moshë të vogël, të tjerët kanë abuzuar me të, e megjithatë në momente të caktuara nuk është aspak për t’u çuditur nëse ajo do të ndjehej shumë në faj për të kaluarën e saj… (të cilën siç e thotë edhe vetë “do doja ta ndërroja me një të kaluar tjetër”. Po a është e mundur kjo!!!??? Ndoshta pikërisht këtu mund të “ngecë” edhe brenga që e mundon, edhe nëse shpesh përpiqet të gjejë vullnetin për ta kapërcyer vetë këtë gjendje. Kujtimet e pakëndshme të fëmijërisë të cilat i kishte menduar të pakthyeshme më, papritmas i janë “qepur” në mendje dhe i ndërhyjnë kaq shumë në rutinën e ditëve të saj, sa nuk e lejojnë që të ketë një jetë normale dhe të funksionojë mirë. Ja pse i është dashur të kërkojë ndihmë disa herë, pavarësisht ndjenjës së turpit që ka ndjerë në vete. Ky hap është vërtetë shumë i rëndësishëm për të në fakt, pasi tregon që ajo është ndërgjegjësuar se ka nevojë për ndihmë, dhe dëshiron të lëvizë nga kjo gjendje. E megjithatë, ndihma që ka kërkuar tek psikiatri gjithsesi duket se e ka konfuzuar paksa, pasi ajo ka shpresuar që aty të gjejë atë “ilaçin çudibërës” që mund ta shërojë menjëherë. Por në fakt, duhet kuptuar se kur duam të lëvizim nga një gjendje, kur duam të ndryshojmë diçka që na ndërhyn në normalitetin e jetës duhet shumë vullnet dhe besim për t’ia dalë mbanë, pa pretenduar se problemi do të zgjidhet vetë dhe menjëherë. Problemi i saj shtrihet gjatë në kohë, e si rrjedhim në raste të tilla i duhet dhënë kohë edhe vetes për t’ia arritur qëllimit të ndryshimit. Kështu, duke u kapur pas disa motiveve të mira, duke besuar në atë që dëshiron të arrish, e duke punuar shumë me gjithë çfarë të mundon pa u përpjekur ta shmangësh, ndjen se i jep një mundësi vetes për  t’u “shëruar” nga ndjesi apo mendime negative të cilat mund të zëvendësohen me një gjendje shprese, optimizmi dhe dëshirash të mira. E gjitha kjo natyrisht mund të arrihet gjithnjë me ndihmën e një specialisti dhe një bashkëpunimi dypalësh dhe frytdhënës. Në raste të tilla duhet kërkuar patjetër shërbimi i psikoterapisë në mënyrë që të punohet me ndjenjat dhe sjelljen kundrejt episodeve të kësaj ngjarjeje. Një thënie e vjetër më ngacmohet vetvetiu në kujtesë: “Askush nuk është aq i pasur sa të blejë të kaluarën e vet”. Kështu pra le të përpiqemi, të gjithë ne të mos mbetemi peng i saj. Të kaluarën nuk mund ta “blejmë”, por të ardhmen ndoshta PO, nëse çlirohemi nga e kaluara dhe nuk lëmë çështje të pazgjidhura në vete.

 

********** 

Tregim

Historia e A, e ka përdhunuar i ati

A., është 12 vjeçe dhe nuk është akoma grua. Ka veshur përparësen e zezë dhe është gati për të shkuar në shkollë. Është duke përgatitur dy vëllezërit e vegjël për t’i shoqëruar në kopsht ndaj dhe është me vonesë, si çdo mëngjes. Mamaja ka ikur që në 6-të në punë, sepse punon në një rrobaqepësi. I ati, është akoma në shtëpi dhe ka dy sy të çuditshëm. “Ndoshta është i nxehur, do të më rrahë dhe do të më bëjë keq” mendon A., e trembur. I ati e kap me forcë  dhe i shqyen të mbathurat. Më pas i bën një të keqe të tmerrshme. A, klith, por askush s’e dëgjon. Pastaj mbyll sytë dhe kërkon të durojë dhimbjen për të mos e ndjerë të keqen aq shumë. Ajo ka frikë: dhe i ati nuk thotë asnjë fjalë. Nxiton duke vepruar i dhunshëm. Çdo gjest i tij është i furishëm. Pastaj mbaron gjithçka dhe A, largohet nga shtëpia e tmerruar.  “E shkreta ti nëse flet!” I ulëret nga pas i ati.

Ajo është ulur në bankë por nuk e ndjen veten aty. Është duke menduar për atë që i ka ndodhur në shtëpi. Mbyll sytë dhe në të njëjtën kohë mbledh këmbët duke i mbajtur shtrënguar, shumë shtrënguar. Është pa të mbathura sepse i ati ia ka shqyer dhe më pas e ka shtyrë me një shqelm duke i bërtitur që t’i zhduket nga sytë. Ndërkohë mësuesja e thërret “Arta, Arta ku e ke mendjen? Përqendrohu në mësim të lutem! Më sill fletoren e detyrave!”. Ajo është e ngurtësuar. Fletoren e detyrave nuk e ka. “Po si është e mundur që në familjen tënde asnjë nuk interesohet për ty…!” – bërtet mësuesja, “Është e kotë të thërrasësh nënën tënde se ajo asnjëherë nuk vjen. Herës tjetër do t’i them babait!” Asaj i mbushen sytë me lot. Turpërohet sepse askush në shtëpinë e saj nuk interesohet për të. Është gati të qajë. Por më pas mbahet me zor. Duhet të bëhet e fortë. Shtrëngon këmbët, mbyll gojën dhe hesht! “Nuk do ia them askujt, se përndryshe babai do nxehet” mendon ajo. Përsëri inati i dhimbjes së fëmijës nuk ia del të shpërthejë. Përse të flasë kur askush nuk e mbron?Ajo ndjehet si një incident, një peshë, një vajzë që ka ardhur në këtë botë gabimisht. Çdo ditë shpreson që të atit t’i ndodhë diçka e keqe, që ai të vdesë në ndonjë aksident, por çdo ditë i duhet të durojë prezencën e tij të padëshirueshme. Kur babai kthehet në shtëpi nis t’i ulërijë nënës, me shishen e rakisë përpara, duke i bërtitur pse ka gatuar përsëri supë? Ai e shan, ankohet duke i thënë se ajo është një grua e pavlerë, e neveritur dhe kënaqet kur arrin ta gjuajë me çfarë t’i dalë përpara.
A., në këtë moment do të arratiset, por nuk mundet…Një rrjedhë gjaku i rrëshket mes këmbëve. I kërkon të ëmës një peshqir dhe me të than gjakun. E ëma i thotë: “Të kanë ardhur periodat. Tani duhet të jesh e kujdesshme se mos mbetesh shtatzënë”. “Nëse mbetesh shtatzënë, do të vras” I thotë i ati duke skërmitur dhëmbët. 

Etapat e shërimit të viktimave të incestit

Etapat e mëposhtme janë të nevojshme për çdo të mbijetuar. Disa prej tyre – etapa e emergjencës, të kujtuarit e abuzimit, konfrontimi me familjen dhe falja – nuk mund të aplikohen për çdo grua.
Vendimi për t’u shëruar
Pasi të keni identifikuar efektet e abuzimit seksual në jetën tuaj, ju duhet të ndërmerrni një angazhimi aktiv për t’u shëruar. Shërimi ndodh vetëm atëherë kur ju e zgjidhni atë dhe jeni të gatshëm për ta sjellë këtë ndryshim në jetën tuaj
Etapa e emergjencës
Puna me kujtimet dhe ndjenjat e ndrydhura mund t’ju bëjë të ndiheni tmerrësisht keq. Mbani mend, kjo është vetëm një etapë. Nuk do të zgjasë përgjithmonë.
Kujtoni ngjarjen
Shumë të mbijetuar i ndrydhin të gjitha kujtimet e asaj që mund t’i ketë ndodhur në fëmijëri. Edhe kur nuk harrohet ngjarja harrohen ndjenjat qe e kanë shoqëruar atë.
Besoni se çdo gjë ka ndodhur me të vërtetë
Të mbijetuarit shpesh herë dyshojnë në perceptimet e tyre. Të besuarit se abuzimi ka ndodhur me të vërtetë, dhe se ju ka lënduar tej mase, është një pjesë kyçe e procesit të shërimit.
Thyeni heshtjen
Shumica e të mbijetuarve e mbajnë sekret abuzimin në fëmijëri. T’i tregoni një njeriu tjetër rreth asaj që ju ka ndodhur është një forcë shëruese e fuqishme që mund t‘ju largojë turpin e të qenit viktimë.
Kuptoni se nuk ishte faji juaj
Fëmijët zakonisht besojnë se dhuna ka ndodhur për faj të tyre. Ja pse, të rriturit duhet t’ia vënë fajin atij që i takon – abuzuesit.
Besoni në veten tuaj
Udhëzuesi më i mirë për shërim është zëri juaj i brendshëm. Të mësoni t‘i besoni perceptimeve tuaja, ndjenjave dhe intuitës formon një bazë të re për të vepruar në botë.
Hidhërimi dhe pikëllimi
Si fëmijë të abuzuar, dhe më pas si të rritur që përpiqen të mbijetojnë, shumica e personave nuk kanë e përjetuar akoma humbjen e tyre. Vajtimi është një mënyrë për të nderuar dhimbjen tuaj. Ai ndihmon ta lini pas të shkuarën dhe të ecni përpara.
Zemërimi
Zemërimi është një forcë e fuqishme dhe çliruese. Ta drejtoni atë kundrejt abuzuesit tuaj dhe kundrejt atyre që nuk ju kanë mbrojtur është e rëndësishme për shërimin.
Hapje dhe konfrontime
Konfrontimi i abuzuesit tuaj në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe/ose familjen nuk është për të gjithë viktimat, por mund të jetë një metodë dramatike dhe pastruese.
Falja?
Falja e abuzuesit nuk është një pjesë esenciale e procesit të shërimit, edhe pse është ajo që rekomandohet më shpesh. Falja më domethënëse është ajo për veten.
Spiritualiteti
Të pasurit një ndjesi fuqie më të madhe se veten mund të jetë një vlerë e vërtetë në procesin e shërimit. Spiritualizmi është një eksperiencë tërësisht personale. Ju mund ta gjeni atë nëpërmjet fesë, meditimit, natyrës, ose grupit tuaj mbështetës.

Zgjidhja dhe ecja përpara

Teksa i përjetoni këto etapa, do të arrini në një pikë ku do t’i integroni të gjitha. Ndjenjat dhe perspektiva juaj do të stabilizohet. Ndërkohë që nuk do ta fshini traumën plotësisht, ju do të ndërmerrni ndryshime të mëdha dhe afatgjata në jetën tuaj. Nëpërmjet të fituarit të ndërgjegjësimit, dhembshurisë dhe fuqisë, do të keni mundësinë të punoni kundrejt një bote më të mirë.
Incesti emocional është një dhunim i kufijve emocionalë. Nuk është abuzim seksual, megjithëse fjala incest ka ngjyresa seksuale. E megjithatë ai mund të shkaktojë dëme të mëdha në identitetin seksual të njerëzve apo në marrëdhëniet intime që ata do të zhvillojnë në ta ardhmen. Për të dhënë një shembull, kur babai është personi i zemëruar e me probleme, mamaja kthehet në martire e bashkë me të edhe fëmija, i cili fillon të urrejë babain, ndonëse nuk ka fuqi ta shprehë të vërtetën e vet, të vendosë kufij, të shmangë përballjet. Ai do të tentojë të bindet për të mos u lënduar, por do të ndihet keq që nuk është i fuqishëm sa duhet për të mbrojtur nënën nga babai, pasi mendon se ajo që duhet të bëjë është të kujdeset për nënën e ta bëjë atë të ndjehet e lumtur. Kështu ai do të zhvillojë frikë ndaj marrëdhënieve pasi do të mendojë se nuk është i aftë të jetë përgjegjës për lumturinë e tjetrit.
Shpesh dikush që ka patur një sistem mbrojtës pasiv e të varur lidhet në martesë me dikë që ka sistem mbrojtës agresiv e të pavarur. Ajo çka ndodh në këtë dinamikë, të zakonshme duhet thënë, është që prindi pasiv lejon agresivin të abuzojë me atë vetë e me fëmijët në mënyrë verbale, emocionale, psikologjike, ose fizike. Ndodh më pas që prindi pasiv të kthehet dhe t’i kërkojë falje fëmijës që e pranon këtë sjellje e nuk bën dot gjë për ta luftuar. Një fëmijë që rritet duke dëgjuar shpjegime e arsyetime ndaj dhunës, do të bëhet një i rritur që lëkundet midis ekstremeve të tolerimit të një marrëdhënie abuzive dhe një shmangieje totale të marrëdhënieve. Sjellja e shkuar e papërshtatshme e prindërve do të përkthehet tanimë në ankth të përforcuar nga dhimbja e përjetuar dikur. Pjesa fëminore që kërkon për më shumë dashuri e qetësi do të ngrejë krye te i rrituri që mendon se e ka kaluar këtë vështirësi ose që së paku e ka mbyllur diku tej.
Por, fatmirësisht e ndoshta fatkeqësisht, prindërit janë modeluesit e parë të sjelljes. Prej tyre mësohen emocionet, sjelljet e qëndrimet. Një prind që do të kujdesej për shëndetin psikologjik të fëmijës së tij edhe atëherë kur do të ndjehej i dobët do të përpiqej të ofronte besim. Një prind i shëndetshëm emocionalisht do të ishte modelues për fëmijën duke i thënë se është gjë e mirë të ndjesh të gjitha emocionet, trishtimin e dhimbjen, zemërimin e frikën, gëzimin e lumturinë.
E nëse kjo nuk ndodh, shërimi prej plagëve emotive do të jetë i vështirë. E për sa kohë këto plagë nuk shërohen, është e pamundur të kuptohen problemet me të cilat të rriturit përballen në marrëdhëniet e tyre. Thjesht nuk do të jemi vetvetja, por një pasqyrim i shformuar i asaj ç’ka kemi kërkuar t’i largohemi më shumë.

@Mirela Sula, Erjona Shahini – 2006

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *