Nga Mirela Sula

 

Është thjesht ky një perceptim apo një realitet? Megjithatë presioni në zyrë mund t’i kthejë gratë në armike dhe aspak bashkëpunëtore me njëra- tjetrën.

Duke filluar nga nënat luftarake, rregullat për ngacmimet seksuale dhe gratë drejtuese shoqëria e sotme pak e nga pak po përshtatet me gjeneratat e reja të grave që hyjnë në punë me qëllimin për të ecur përpara. Impakti i tyre në kulturën e zyrës, kodin e etikës, prodhimtarinë, strukturën e pagesës, kohën e manovruar dhe në veçanti në burrat që duhet t’i lirojnë vendin, janë dokumentuar dhe evidentuar me kohë edhe në vendin tonë. Ja pse tani më shumë se kurrë duhet të flasim për efektin që ato kanë tek njëra-tjetra.

Kush është armikja më e madhe e një gruaje në punë? Në grua tjetër. Shpesh herë, ato ndihen se xhelozohen dhe pengohen nga gratë e tjera në ecurinë e suksesshme të punës së tyre. A ka ndonjë të vërtetë në këtë perceptim? Personalisht nuk kemi lexuar ndonjë të dhënë që provon se kjo është e vërtetë, por fakti se ekziston një anketim, sado i vogël, që thotë të kundërtën, është i fuqishëm në vetvete. Gratë që pengojnë gratë e tjera është një perceptim i rrezikshëm pasi ai përforcon portretizimin e gruas “lidere” si një “shtrigë” të pasigurtë, lehtësisht të kërcënueshëm, shumë emocionuese dhe aspak të fokusuar në arritje sepse është e preokupuar me rrëzimin e talentit të ri. Në këtë skenar, femrat menaxhere e kthejnë punën për gratë e tjera në një ferr të vërtetë.

Edhe pse deri diku kjo ide është e justifikuar, gratë që krahasohen me gratë e tjera në mënyrë të padrejtë është më shumë se një perceptim i gabuar. Nëse jeni në fakt e viktimizuar nga një burrë apo grua – p.sh shefi juaj ngre në detyre vetëm meshkujt – duhet medoemos që të ndërmerrni veprimet e duhura.

Por qoftë e vërtetë apo thjesht e ndjerë, a përbën konkurrenca midis femrave një formë diskriminimi? Mos vallë gratë po e ekzagjerojnë në reagimet e tyre kundrejt konkurrencës nga gratë – gjë e cila është e  parashikuar dhe e toleruar kur vjen nga burrat – e jo nga një burim prej të cilit ne presim mbështetje? Dhe pse,duhet ta presim dhe parashikojmë këtë mbështetje nga gratë? Apo nga bindja se të qenit mbështetëse dhe e dashur është ajo çka gratë bëjnë më mirë?

Merrni këtë steriotip gjinor, kombinojeni me një dozë ambicioni, vendosni një vend pune ku progresi është një lojë bërrylash, dhe ajo që do të keni është një ambient, ku për të thënë të paktën, i sforcon marrëdhëniet bashkëpunuese midis femrave.

 

bully_crop380w

Cilat janë forcat që i shtyjnë gratë kundër njëra-tjetrës?

 

Antropologjia: Që në fillimet e organizimit social, mbijetesa e grave dhe ajo e fëmijëve të tyre varej nga aftësia për të konkurruar suksesshëm gratë e tjera në lidhje me burimet që burrat mund të siguronin. Sigurisht që këto instinkte konkurruese janë të lindura. Por, pse ato nuk dalin në sipërfaqe në mënyrë të qartë në arenën gladiatore të zyrës?

 

Pritshmëritë e gjinisë femërore: Femrat që në fëmijërinë e tyre, mësohen dhe vlerësojnë më së shumti aftësitë për të bashkëpunuar me të tjerët – kaq të rëndësishme në menaxhimin e familjes dhe komunitetit në përgjithësi. Ja pse konkurrenca e hapur midis njëra-tjetrës është një shkelje e drejtpërdrejtë e këtyre pritshmërive sociale. Një burrë që shkon pas famës,parasë dhe pushtetit, në fund të fundit, po bën thjesht burrin. Por një grua e preokupuar për të njëjtat shpërblime është një armike që të godet pas shpine.      

 

Pritshmëritë e gjinisë mashkullore: Ndërkohë që gratë priten të jenë të “sjellshme” dhe kritikohen kur nuk janë të tilla, burrat shpesh i shikojnë gratë e reja dhe pa eksperiencë si profesionalisht “të dobëta” dhe si rrjedhojë mund të jenë shumë suportues ndaj tyre. Këtu kemi të bëjmë me një hero që shpëton damën e tij. Ndërsa koleget femra mund të shohin fuqinë që qëndron pas të qenit e re më përpara se kolegët meshkuj dhe si të tilla ato janë më të kujdesshme. Rezultati? Në studimet e shumta, gratë raportojnë se kolegët meshkuj janë më shumë të disponueshëm si “këshillues” deri në pikën kur ato fitojnë barazi profesionale – ama bindja se gratë janë të vrazhda ndaj njëra-tjetrës është sigurisht e përforcuar.   

 

Burimet e kufizuara: Edhe pse një progres i rëndësishëm ka ndodhur në emancipimin e gruas, mundësitë prej “lidereje” për ato vazhdojnë të mbeten të limituara – edhe pse ato janë të pathëna dhe të mohuara (në fund të fundit janë të paligjshme). Në këtë mënyrë, gratë që ngrihen në detyrë janë të ndërgjegjshme se më së shumti ato janë duke konkurruar njëra-tjetrën për copën më të vogël të “tortës”. Si të tilla, gratë realiste e perceptojnë njëra-tjetrën si një kërcënim të drejtpërdrejtë – dhe sillen duke u bazuar në këtë perceptim.

 

 

working-mother

Dilema e të qenit nënë

 

Si nëna, femrat janë, për momentin konkurruese të forta. Çështja e cila udhëheq të gjitha marrëdhëniet e grave në vendin e punës është zgjedhja e tyre për të qenë nëna. Ne sigurojmë veten se kemi bërë zgjedhjen e duhur duke i konsideruar zgjedhjet e grave të tjera si të gabuara.

Brenda në zyrë,femrat „singel“ i kanë zili privilegjet e kohës dhe mirëkuptimin e pohuar nga ato që janë nëna. Nënat, nga ana tjetër, nuk durojnë dot egoizmin e atyre që nuk kanë fëmijë. Të kthyera kundër njëra-tjetrës, gratë humbin kohë duke penguar suksesin e njëra tjetrës.

Ndërkohë, bashkëshortët dhe baballarët në mënyrë të gëzueshme kalojnë kohën në zyrë, duke konkurruar në mënyrë të hapur për promovim dhe më pas shkojnë për ndonjë darkë me njëri-tjetrin. Ata e mendojnë konkurrencën ndryshe, dhe kjo duket sikur funksionon.

Ja pse gratë, duhet të nxjerrin një mësim prej kësaj mënyrë të të menduarit. Me pak zbutje në shpirt dhe ulje të prithsmërive, ndoshta ambienti i vrazhdë i punës mund edhe të zbutet. A janë gratë realisht më negative kundrejt njëra-tjetrës në vendin e punës? Përgjigjja ndoshta është po, ngandonjëherë. Ne mund të adaptojmë filozofinë e meshkujve që zbut marrëdhëniet midis kolegëve më konkurrues: “Është thjesht çështje biznesi”. Dhe ato e besojnë këtë gjë.

 

women-together

Gratë e bashkuara ngrihuni për njëra tjetrën

 

Shprehja “Mbaj miqtë afër dhe armiqtë akoma më afër” ka një të vërtetë përbrenda. Më mirë të formojmë lidhje të ngushta se sa të sulmojmë një nga një.

 

Mos i kushtoni vëmendje miteve: Femrat e forta janë një target i mirë për agresivitet dhe negativitet. Besoni vetëm në eksperiencat tuaja. 

Bëhuni një grup: Krijoni mundësi për të gjitha femrat e zyrës për t’u takuar së bashku. 8 Marsi? Viti I ri? Një identitet i fortë i grupit mund t’ju çojë drejt bashkëpunimit  më lehtësisht.

Njihni ekzistencën e konkurrencës: Miqve  kundërshtarë u pëlqen ku ju haptazi i quani të tillë dhe ata ndihen rehat në këtë proces.

Ftoni për drekë rivalin tuaj: Bëni shaka…, ndani ndonje thashethem sebashku. Në fund të fundit ky nuk është një sekret..

Mos i merrni gjërat shumë personale: Vetëm se pse një grua tjetër kërkon promovimin ose projektin që ju aspironi nuk do të thotë se ajo është kundra teje. Ajo thjesht dëshiron të ecë përpara. Ashtu si ju. Le të fitojë më e mira.

Une kam intervistuar disa gra te cilat kane bere karriere dhe i kam ftuar te ndajne me mua disa te verteta nga eksperienca e tyre. Se sa te sinqerta jane ne opinionet e tyre po e le ne gjykimin tuaj!

er

Ermelinda Meksi

Në sfidën për arritjen e barazisë gjinore mendoj se politikanët në përgjithësi dhe veçanërisht gratë e përfshira në politikë kanë një rol e përgjegjësi të veçantë. Gratë në politikë apo në nivele të ndryshme drejtuese sigurisht që kanë më shumë mundësi konkrete për të sjellë ndryshime të prekshme jo vetëm duke theksuar dimensionin gjinor të politikave sektoriale por dhe duke  promovuar e mbështetur drejtpërdrejtë koleget e tyre gra në karrierë. Kjo bëhet një nevojë e dukshme kur sheh se një ndër rekomandimet konstante te Bashkimit Europian në dokumentat për Shqipërinë është nevoja për” fuqizimin e rolit të gruas shqiptare në Shqipëri”. Për sa kohë mbetemi një shoqëri me dimension të munguar gjinor veçanërisht për vendimmarrjen politike(ku dhe gruaja në politikë ka përgjegjësi pavarësisht faktorëve që kanë sjellë këtë situate)kritika sidomos nga burrat përkthehet si xhelozi. Personalisht e quaj të gabuar këtë përcaktim i cili e sheh çështjen e gruas në mënyrë sempliste si çështje vetëm të grave. Por kjo situatë duhet të na ndërgjegjësojë se ka vend për përmirësim duke konsideruar se: krijimi i lobbing-ut mes grave për mbrojtjen e interesave të gruas në tërësi veçanërisht nga deputetet gra në  Parlament dhe forumet e ndryshme politike, rritja e solidaritetit mes tyre për çështjet gjinore, vullneti  për të tërhequr dhe mbështetur kandidatura gra, si dhe bashkëpunimi i grave në pozitë e opozitë për iniciativa ligjore në interes të fuqizimit të gruas në tërësi janë disa veprime që gratë politikane duhet te adresojnë  me më efektivitet në të ardhmen.

 

 10959346_1379902992323702_583117884173403634_n

Diana Çuli

Nuk do të thoja se gratë diskriminohen nga gratë. Gratë mund të rivalizohen nga gratë, që është një dukuri njerëzore, që iu ndodh dhe burrave dhe grave, por diskriminimi zakonisht ndodh si i tillë mes një të forti dhe më të dobëti. Burrat i diskriminojnë gratë se ato janë më të dobëta në pozicionin e tyre në shoqëri dhe në familje, në përgjithësi, me përjashtime të pakta. Ndërsa gratë në tërësinë e tyre janë shtresë e diskriminuar nga të tjerët, prandaj, përsa i përket kësaj çështjeje kanë dhe një solidaritet instiktiv. Nuk duhet, pra, të ngatërrojmë rivalitetin, xhelozinë, zilinë, – që janë tipare dhe të burrave dhe të grave – me diskriminimin, i cili është vertikal dhe jo horizontal.

 

l

Lajla Pernaska

Kjo është një temë shumë pikante për të cilën ne kemi luftuar shumë. Njihet si lufta brenda llojit. Eshtë një fenomen që njihet dhe teorikisht, përbën problem për vende të ndryshme, por veçanërisht është i ndjeshëm në vende si i yni ku diskriminimi i përfaqësimit të grave në politikën e lartë është më i thellë.  Eksperienca shqiptare flet për praninë e këtij problemi në shkallë të gjerë. Teorikisht shpjegimi bëhet me faktin se kur një grua arrin pozicionin e lartë në vendimmarrje, ndërkohë që nuk ka gra të tjera përreth, ajo ndihet e privilegjuar në mjedisin e dominuar nga gjinia tjetër. Për më tepër kur ky pozicionim i lartë nuk ka kaluar në rrugën e konkurrencës, e bën më të egër barrierën për t’u përfshirë gratë e tjera. Pra, gra të tilla  kanë frikë dhe nga konkurrenca e përfaqësuesve të të njëjtës gjini prandaj bëhen barriera për gra të tjera të arrijnë të njëjtin nivel. Në krahun e djathtë psh që kur zuri vendin e nënkryetarit një grua në PD, filluan të largohen gratë e tjera realisht konkurruese duke ulur numrin e tyre në përgjithësi ose duke u zëvendësuar me gra kukulla sa për kontur imazhi. Sa më e pa kultivuar të jetë femra që kap një pozicion të lartë vendimmarrjeje, aq më e egër është barriera që ajo përbën për të tjerat. Për ta shmangur këtë problem  kërkohen të vendoset një sistem i hapur konkurimi brenda partive si dhe mekanizma të tilla si ai i kuotave që mund t’i krijojë më shumë hapësira grave në një periudhë të caktuar.

 v

Valentina Leskaj

Edhe po edhe jo, që do të thotë se gratë mund të diskriminojnë gra siç mund të diskriminojnë edhe burra. Kjo është në natyrën e njeriut jo të gjinisë, nuk mund të them se është në natyrën e grave që të diskriminojnë gratë. Unë besoj se ashtu si ka burra që diskriminojnë burra dhe gra, kështu mund të ndodhë edhe në rastin e grave. Në fakt mendimi që qarkullon se gratë diskriminojnë gratë, është një paragjykim që vjen edhe për shkak se gratë janë të nënpërfaqësuara në vendimmarrje në të gjitha nivelet dhe përgjithësisht në karrierë pra jo vetëm në sferën e politikes, kjo shpesh bën që një pjesë e përgjegjësisë së këtij nënpërfaqësimi t’u atribuohet vetë grave. Unë besoj se gratë vet janë të interesuara të jenë më shumë në jetën publike dhe në vendimmarrje, çka do ti bënte ato më të suksesshme duke patur mundësi që ato të ofronin modelin e tyre. Sidomos në Shqipëri gratë kanë nevojë për aleate që të realizojnë modelin e tyre, për shkak të mjedisit ende të ashpër e konservator.

Në këto kushte kur një grua vjen në drejtim, e ka të vështire të ndryshojë gjithë përqasjen dhe ndonjëherë ndodh, që humbet feminitetin, për ti rezistuar mjedisit. Duke u vënë në konkurrencë me meshkujt gruaja bëhet  më e ashpër “e fortë”. Nuk ndodh e njëjta gjë në se gratë vihen në konkurrencë me njëra tjetrën, mjetet që përdoren për të përballuar këtë konkurrencë janë më alternative, më paqësore nuk mbështeten në forcën ndaj në se shumë gra vinë në drejtim, atëherë sjellin një përqasje tjetër që bën ndryshim në vet drejtimin e punëve.

Me këtë filozofi dhe dëshirë për ndryshim të drejtimit, shumë vende të zhvilluara po I drejtohen seriozisht angazhimit të grave dhe sot më shumë se kurrë bota po njeh pushtetin e grave sidomos në drejtimin  e politikës dhe biznesit. Shumë nga këto gra kanë njohur së pari mbështetjen e grave kështu ka qenë shembulli i Madlene Ollbrait e mbështetur nga grupi i grave nën drejtimin  e Hillary Klinton, presidentja e Finlandës Tarja Halonen ka gëzuar këtë mbështetje të grupeve të grave, në Kili gjithashtu  Presidentja Bechelet që emëroi gra në shumicën e kabinetit , dhjetë gra ministre, për të ardhur te gjenerata që synon presidencën në SHBA dhe France me një përqasje të qartë gjinore.

396029_204705829617160_68758886_n

Flutura Açka

Nëse ka një “betejë” të hapur, është ajo e femrës për femrën. Po të jetë fjala për meshkujt, ata dinë si ta mbajnë njëri-tjetrin, gjejnë gjithnjë hapësira, edhe kur urrehen. Me femrat kjo nuk ndodh. Mjafton të vëresh në një mjedis kur duhet të zgjidhet të drejtojë një femër, janë femrat ato që të parat nuk e votojnë. Janë të gatshme t’i japin kreditet një mashkulli, se njërës së “sërës” së tyre. Kjo do një shpjegim të gjatë, por për ta përmbledhur mendimin tim do të të thosha se vjen nga të qenët e gruas promotore në shoqëri. Ajo nuk e duron dot sfidën. Mjaft të shohësh si reagojnë femrat me dashurinë, janë të gatshme të vrasin veten. Nga këtu buron edhe një egoizëm i brendshëm, por i hapur. Ose unë, ose asnjëra. Mjaft të shohësh luftën në politikë, brenda partive, femrat që janë në majë zor se i japin frymëmarrje ndonjë tjetre aty afër. A ka ndonjë zë femre që dëgjohet me të vërtetë, po qe se komandon ndonjëra prej nesh? Zor të ndodhë. Dhe burrat me të drejtë na cilësojnë si kukulla kineze, prerje të njëra-tjetrës. Këtë ne nuk e themi dot për burrat, kjo është çalesa jonë themelore në raport me burrat.

 

@Mirela Sula, 2006

 

 

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *