Pasion i pjesëtuar

“Burri i vërtetë do dy gjëra: rrezikun dhe lojën. Prandaj e do gruan që është loja më e rrezikshme”- F. Niçe 

E dashur mike,

e di se s’do ta kesh të lehtë ta besosh. Kjo që po të shkruan jam unë. (Kam filluar edhe vetë të dyshoj për këtë). Përpëlitem, orvatem ta shpërndaj dobësinë që ma ka molepsur shpirtin gjithë këtë kohë. S’e mbaj dot vetëm për vete, nuk qenkam e aftë, kam nevojë ta ndaj me dikë. Më fal që të zgjodha ty! E ndjej se do më pranosh me gjithë historinë time, dhe nuk do ma mbyllësh portën në këtë “lojë”- tranzit në të cilën jam ngatërruar e s’gjej një shteg për të dalë. Kujt tjetër t’i jepesha? Ndjehem e pashpresë. Të shkoj në ndonjë kishë të rrëfehem? T’i drejtohem ndonjë psikologu? Apo të ndez një qiri për SHPIRTIN… që s’e kam më timin?

 

9

Po mikja ime,

Fort e çuditshme ëndrra jote, ma sjell turbullimin qartë para syve që shohin përtej teje. Ndjehet qysh këtu grija e një tymi që ka filluar të ta mbulojë arsyen, si një kompensim pas një vetmie të dashur, ngjitur në muret e ftohta të logjikës tënde. Kujdes nga shpërthimet, grua naive! Jo të gjitha ëndrrat kërkojnë përkushtim kaq zhurmues! Ruaju në kufijtë e saj, se realiteti mund të mos ketë vend për të! Do jem me ty, në çdo gjendje tënden.

 

****

Je kthyer prej një dite të mbushur me frymë të çuditshme. Nuk i njeh të tilla lëvizje në vete. Ndjehesh ndryshe, duket bukur (një ditë e hyrë gabimisht bukur në kalendarin e ngjarjeve të tua). Çfarë do të sjellë e mëvonshmja?

 

Të shkruan! Pak sekonda mjaftojnë për të të bindur-i përgjigjesh. Një mesazh i ardhur në çaste kotësie të bëhet i rëndësishëm pa kaluar në filtrin e arsyes. Çfarë po bën? Guxon! Provon përmes tij të njohësh një tjetër pjesë tënden. Pse jo? Ai është grishës, di mirë të të tërheqë në lojë. Ti e merr seriozisht. Kjo është nevojë gruaje.

Kujtohesh! Ai është burri që s’e ke parë në rrugët e tua të bëra me nxitim. Kur një ditë krejt papritmas e ndesh, ti s’e beson se janë shenjat e tij… Ke frikë se impulset e dëshirës për të vazhduar, të gënjejnë pas asaj çfarë nuk të takon. Nuk nxitohesh! Mban mbi supin tënd një dorë që të drithëron, merr një buzëqeshje të çlirët që shpreh shumë, …ka një zë magjepsës, por ti përmbahesh… Çfarë është? Nuk ke kurajë ta rëndosh veten me emocione të rreme. Ndoshta po, një shenjë e thatë se diku një histori mund të jetë shkruar mes jush, të bën ta mendosh për pak… Qesharake! Nuk ia fal vetes këtë! Asgjë nuk po ndodh!

Por shenjat vazhdojnë të të ndjekin, pa vërejtur se Ai po hyn qetësisht në jetën tënde pa histori burrash. E ka ndjerë impulsin tënd prej femre dhe e ngacmon, ndërsa ti trembesh prej lumturisë që të sjell tundueshëm prania e tij. Përnjëherësh e thith ndryshimin, edhe pse pavetëdijshëm në procesin e njohjes tënde. Ai ka prekur tek ti fijet e holla të rrahjeve të tua të zemrës. Të ka hyrë në qilarin e saj të ëmbël duke të ta shpërfillur pallatin e ftohtë të arsyes…

Gjithë çfarë ka nisur është romantike, siç ke ëndërruar gjithmonë. Një mrekulli e ardhur për ty nga një burrë. Sheh veten tek ai, e gjen në një version tjetër shpirtin tënd. Një njeri po të bëhet i shtrenjtë papritmas, kur ti ende s’je shëruar prej vetmisë tënde. Është i përmbajtur, i veshur me virtytet e njeriut që s’është aspak e vështirë të të bëjë për vete.

 

Të kërkon ta duash. E çuditshme! Një lutje për dashuri, e nisur prej një burri të tillë, të turbullon. Të thotë se ka nevojë për dashurinë tënde. Ti e beson! Të gjithë kanë nevojë për dashurinë e dikujt. Por, ai është ndryshe, nevoja që ai ka për ty është e ndryshme nga ajo e të tjerëve. Si mundet që njeriu ta shprehë kaq shpejt këtë? Ty të pëlqen vërtet, por ende s’je e sigurt për më shumë. Nuk ke provuar më parë të tilla ndjesi, situata kaq marramendëse, s’di si ta shmangësh çfarë vjen me tepri prej tij. Një lëvizje e gabuar mund të bëjë ta fyesh apo ta humbësh përgjithnjë. Të josh, të shfaqet kur s’e pret. Ti nuk e ndalon. Përkundrazi, të grish loja në të cilën të fton. Nuk mendohesh gjatë. Është një gjendje që e do, vërtetë bukur. Je e lumtur-çfarë termi! U beson shenjave që s’ua di kuptimin. Çfarë është kjo? Dashuri? E pyet! “E vërteta mbetet gjithmonë për t’u riprovuar”. Ç’përgjigje. S’të thotë asgjë. Shumë i ndërlikuar në mendim, veprim, komunikim. Por ende s’e di çfarë të shtyn drejt tij, t’i besosh e të ndjesh nevojë për praninë e tij të paqenë.

Beson, dyshon…normale kjo! Je e paaftë të kthjellohesh. Të ka kërkuar dashuri. Po ai, çfarë ndjen? Mundet që një njeri të të kërkojë ta duash pa të dashur vetë? Ndoshta! Por një fytyrë aq e brishtë si e tij, është kaq e besueshme. Mos vallë ai thjesht ka nevojë të mbushë veç orët boshe me një shpirt romantik? Apo të ndalet te ti sa herë të ndjejë nevojën e pastrimit shpirtëror? Jo! S’mund të jetë ashtu! Ai është një burrë ndryshe.

E kërkon me ngulm një përgjigje prej teje, si të ketë frikë se nuk do ta marrë kurrë. Është ajo, përgjigja që s’e ke dhënë ndonjëherë, në asnjë lloj rrethane, trembesh nga këmbëngulja e tij. Nuk ke si të tërhiqesh. Joshja e tij vjen tunduese. S’mund të jetë i detyruar të shprehë gjëra që s’i ndjen. Thua vallë të jetë mbarsur nga dëshira për të robëruar dhe për të qenë gjithnjë i suksesshëm, pse jo dhe me gratë? Reagimet e tua serioze, janë befasuese për të. Ndoshta pikërisht për këtë është ndalur, të përkëdhelë sedrën me një grua si ti.

 

Në përditën e tij ai miklohet me mundësi të tjera që i vijnë rrotull…, raste më komode, pa përgjegjësira. Bota është e mbushur me njerëz të gatshëm, që jepen për lumturi të vogla. Kështu ata i shmangen vuajtjeve të zakonshme ditore. Ti ia përmend këtë. Këmbana jote bie në tjetër vend. Nuk do doje të shtoheshe si një fletë më shumë në katalogun e tij të dëshirave kalimtare.

Deri tani janë thjesht dyshime. Dilema të përligjura gruaje. Ti e ndjen ikjen tënde drejt tij. Ke një parandjenjë të çuditshme. S’mund të ndodhë të jetë e gënjeshtërt.

 

*****

Është vetëm frika e fillimit. Më pas, një ndijim i lehtë, pa përzierje mbeturinash të shkuara, pa shpjegim… Është krenari, edhe përulje që të shkakton qenia e dikujt tjetër, i ndodhur jashtë teje, por që trazon thellë. Kujdes! Këtu duhet të matesh! Kam frikë se është si diçka që, nëse nuk e shmang qysh në çastin e parë, pa i shtrirë mirë rrënjët, më vonë rritet e s’e shkul dot.

 

****

Të kap alarm shqetësimi kur kupton se ai burrë ka filluar të të pëlqejë. Gjëra si këto shpesh ke dëshirë t’i strehosh në nënvetëdije, s’i lë të ngrenë krye. Aq më tepër kur je e vetëdijshme se një burrë në qendër të vëmendjes nuk mund të ta japë lehtë lumturinë që ti kërkon. Çfarë do bësh? Do luftosh për të? Do të tërhiqesh sa je në kohë? Më vonë, do jetë shumë vonë për të vendosur.

Shfaqia e tij në skenën e jetës tënde, sikur të sfidon çdo dëshirë tjetër për t’u kujtuar për veten. Jeni dy qenie që dëshironi t’i afroheni njëri-tjetrit. Çfarë mund të ndodhë pas kësaj?

Akrepat e orës tënde lëvizin në kohën e tij. Diçka e brishtë po ecën në këtë kohë. Jeta lëviz. Një burrë të tërheq ta jetosh atë, ta ndjesh këtë lëvizje. Ti gjithmonë ke jetuar me prekjen e kësaj ëndrre. Ai është burri që ti paske qënë duke pritur, pa e ditur as vetë. Nuk mund të kërkosh më shumë se kaq. Nuk pret asgjë tjetër pas kësaj. Thjesht i lejon vetes të jetosh me të tillë ndjesi. Të shijosh praninë e tij, pa qenë e nevojshme ta prekësh.

Po përpiqesh të futesh në shpirtin e tij, natyrshëm. Kjo është shumë e rëndësishëme për ty. Thua je e mirëpritur?  Ai duket sikur ka qenë në kërkimin tënd. Ti në pritje të tij. Lipset vetëm ajo shenja, që të lindë drita e shtrëngimit mes dy njerëzve që pëlqehen.

Gjithmonë është një çast kur ty të duhet të ndalesh. Ndjen se diçka është përgatitur për ty. Thua ta ketë parandjerë shpirti yt takimin me një shpirt tjetër? Duket sikur në çdo njohje të re duhet harruar diçka e vjetër. Duhet të ndahesh me diçka për të pranuar një tjetër. E gjithë kjo ndodh shumë rrallë, por tek ti ka nisur të ndodhë.  Shoh shenjat e para të ndarjes nga njerëzit dhe bota. Kujdes nga dëshira për të ndodhur sa më shpejt diçka që ende nuk e di ç’është. Të isha në vendin tënd, do ndalesha të merrja pak frymë.

Të tilla ngjarje nuk nguten, as duhen shpejtuar me padurime veprimesh. Veç ndjehen, përjetohen, pa pritur që diçka të ndodhë, sepse mund të presësh, e të mos ndodhë ndonjëherë. Dhe pse e vështirë, pritja është njerëzore.

*****

Sapo ke filluar t’i japësh shenja të lehta pranimi. Për të edhe mënyrat e refuzimit tënd janë shumë ftuese. Ai kështu i merr. Nuk ke rrugë tjetër, veç shtegut që të çon drejt asaj dritës. Pse ta mohosh? Prania e tij, me dhe pa dyshime, të lumturon. Nisesh, por ecën ngadalë, gjithë frikë, pa ditur se ku do mbërrish.

Si shumëkush ke dhënë pa fund, por s’ka ndodhur ta takoje atë njeriun që mund t’i besoje shpirtin. Më në fund, diku t’u ndalën sytë, është dikush që të ngjall një shpresë, të paqenë më parë. Si me magji të zgjon nga pulsione sanguine. Beson në imazhin e tij, je gati t’i jepesh, pa asnjë mbrojtje, pa asnjë provë, deri në kufijtë e cënimit. Ditët e tua fryhen si tullumbace, me gjendje të luhatshme emocionale. Nuk mendon se një ditë mund të shfryhen, të mbetesh bosh. S’ke arsye. Sapo ke filluar të zhytesh në një lumturi të pazakontë. E gjithë kjo paralajmëron sezon radikal, ti shpesh dukesh qesharake kur përpiqesh të bësh qëndresë.

Por e mendon humbjen e tij, ende pa e patur atë vetë, e prapë kjo s’të pengon të vazhdosh. Dëshiron t’i lësh gjërat të rrjedhin siç vijnë, pa sforcim. Nuk bën asnjë përpjekje për të kapur fillin e logjikës. Nuk të shkon në mendje ta bësh një gjë të tillë, tani lumturia të vjen përmes kësaj gjendjeje e asgjë tjetër s’ka më shumë rëndësi për ty. Një lumturi e një lloji tjetër, të ka mbushur plot. Është një burrë që të pëlqen. Mjaftohesh me kaq. I gëzohesh qenies së tij.

 

*****

 

-E bukur kjo lojë?

-Ashtu duket!

-Ta vazhdojmë?

-Për sa kohë ta ndjejmë…

-Je shumë e veçantë.

-Faleminderit!

-Edhe “faleminderit” e thua bukur.

 

Ai e quajti lojë! Çfarë do të thotë kjo? Ti po luan? Me një burrë? E pamundur! Nuk je ti!

Do vazhdosh…?

Një tjetër grua në vendin tënd do të bëhej më interesante. Për të fituar “lojën” duhet ta lodhësh kundërshtarin e më pas ta “sulmosh”. Ti jo. Je e dobët. Do luash për të? Terreni është e tij.

Të shoh, tek lëviz me qetësi. E çliron nga pasiguria. As nuk tërhiqesh, e as nuk shtyn. Pret ndërhyrjet e tij, që më pas t’a ndjekësh brenda hapësirës që të lejon ai, nëpër fushën e mjegullt. I kapërcen pritat që të ngrihen për t’u kthyer në pendesë. Nuk mund ta pranosh se po luan: “Të humbësh, a të fitosh”! Thjesht të grish argëtimi i së panjohurës.

Po mëson të jesh e lumtur, të jetosh me këtë ndjesi, në një tjetër mënyrë. Sa do zgjasë? Ende pa nisur, mendon fundin. Të pyet: çfarë ndjen? Ende s’e di as vetë: Je ndryshe nga ditët pa të. Është dëshirë për të jetuar. Nuk ke provuar kurrë më parë të zgjohesh me një dashuri kaq të madhe për jetën. Është ai që ta sjell buzëqeshjen në mëngjes, që t’i jep kuptim ditës. Je në delir, nuk e fsheh lehtë këtë gjendje dehjeje. E çuditshme! Gjithnjë ke patur frikë të jesh e lumtur. Të është dukur kjo ndjesi si një paralajmërim për fatkeqësi. Zot më ruaj!,thua çdo ditë nën zë.

 

Një burrë po lulëzon stinët e shpirtit tënd. Është vjeshtë. Nis te një “e shtunë që vjen vonë tek ti”. Nuk i pret më fundjavat, nuk i dëshiron më, të duket se të largojnë prej përkohësisë… Ti nuk i përligj të gjitha ditët e javës së tij. Ato nisin e pjestohen, kur ti ende s’e di çfarë po ndodh. Je në kulmin e lulëzimit të një stine të rrudhur, por çdo ditë ndjen si çelet frymëmarrja jote, nën një qiell që mund të ndryshojë papritmas.

Të ka munguar më parë kjo frymë. Ke qenë çdo ditë e rrethuar me burra, të gatshëm për të rënë në dashuri me ty, por nuk ka ndodhur. Po e prisje, por  mund të ndodhte të mos e takoje kurrë.

Çfarë di për rënien në dashuri? Dalloj shenja të tilla në ty. Kjo ngjarje të ka gjetur në purgator. Duhet të mendohesh! Mund të të japë parajsën, por edhe ferrin ndoshta. S’e ke kuptuar se diçka ka filluar të lëvizë kundër logjikës tënde besnike?

Por, një pjesë e mirë e kontrollit varet koma prej teje.

Mund ta marrësh vetë drejtimin e lojës, por dëshiron t’i thyesh rregullat e tua qysh në fillim dhe sidomos tabunë e ngritur për burrat. Gjithmomë ka qenë i largët për ty seksi tjetër. “Frymorë që jetojnë sipërfaqësisht”-ke menduar, dhe je shmangur. Koncepti yt për ta fillon e ndryshon sapo lëvizja jote orinetohet drejt tij dhe bëhet forcë brenda teje. Tani termi “burrë” të pështjellon në tjetër ndjesi. Një grua që të ndjehet e tillë ka gjithmonë nevojë për të tillë prani. Je lodhur me rregulla e gaze të kontrollueshme. Çfarë është ajo që po kërkon? Diçka po ndodh? Po ndjen vërtetë diçka? I gëzohesh asaj erës së lehtë, flladit që mund në dimër të të marrë e të të hedhë në një tokë të huaj. Por kujdes, dimri po afron e ti ndjehesh ekzotike nën efektin e kësaj stine të re.

Çdo grua ëndërron për dashurinë e madhe, ti e tremb ëndrrën edhe kur të duket se pas dere të pret vërtetë ajo. Mund të ndodhë të jetë veç hija e saj ose një mirazh…, asgjë më shumë, …dyshime që mbjellin pasiguri nisjeje drejt një fundi pa përkohësi.

Dëshira dhe gabime të shtyjnë çuditshëm drejt tij. I largohesh natyrës tënde e dehesh me shqetësime që kohë më parë nuk bënin pjesë në përditën që të vishej zakonshëm. Ndoshta do të jetë veç një njohje e shkurtër, por shenjat e tij mund të mbeten përjetësisht, brenda dhe jashtë teje. Ka hyrë në jetën tënde si një aksiomë. Nuk arrin të dyshoh në vërtetësinë e tij edhe pse shpesh të duket si një alien i ardhur prej tjetër planeti. Ai është një burrë-ëndërr!

@Mirela Sula – Marrë nga Romani “Pasion i Pjestuar”, 2005

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *